• e shtunë, 21 dhjetor 2024

KB: Libani përballet me periudhën më vdekjeprurëse gjatë viteve të fundit

KB: Libani përballet me periudhën më vdekjeprurëse gjatë viteve të fundit

Bejrut, 27 shtator 2024 (MIA) - Kombet e Bashkuara kumtuan sot se sulmet e intensifikuara izraelite ndaj ekstremistëve të Hezbollahut kanë bërë që Libani të përballet me periudhën e saj më vdekjeprurëse ndër vite me spitale të mbushura me viktima.

"Përshkallëzimi i fundit në Liban nuk është asgjë më pak se katastrofike", deklaroi Imram Riza, koordinator humanitar i KB-së në Liban.

"Jemi dëshmitarë të periudhës më vdekjeprurëse në Liban në një gjeneratë dhe druajnë se ky është vetëm fillimi", u tha Riza gazetarëve në Gjenevë përmes video lidhjes nga Bejruti.

Ai tha se vetëm të hënën, numri i viktimave ka qenë rreth gjysma e totalit të 1.200 viktimave gjatë luftës 34-ditore midis Izraelit dhe Hezbollahut në vitin 2006.

"Niveli i shpërnguljes, niveli i traumës, niveli i panikut është i madh", tha Riza dhe paralajmëroi se sektori shëndetësor në Liban është plotësisht i mbingarkuar.

“Ngjarjet e javës së kaluar, përfshirë shpërthimet e pajisjeve të komunikimit, kanë varfëruar pothuajse plotësisht furnizimet mjekësore”, tha Riza duke vlerësuar se për shkak të përshkallëzimit të fundit të dhunës dhe mbipopullimit të spitaleve, sistemi po lufton me burime të kufizuara për t'iu përgjigjur nevojave në rritje.

Se spitalet në Liban janë të mbipopulluara, konfirmon edhe Margaret Haris, zëdhënëse e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Ajo rikujton se shpërthimet e pejxherëve dhe uoki- tokëve shkaktuan dëmtime të shumta serioze në sy dhe duar të cilat kërkojnë trajtim të specializuar.

Edhe 777 persona të tjerë janë ende në spitale pas atyre shpërthimeve, ndërsa 152 persona janë në gjendje kritike, që do të thotë se nuk do të lirohen së shpejti.

Njëherësh, 37 objekte shëndetësore janë mbyllur në të gjithë Libanin për shkak të përleshjeve.

Haris deklaroi se agjencitë për ndihmë janë përgatitur për një numër të madh të mundshëm të të plagosurve në Liban në rast të një përshkallëzimi në përleshjet ndërkufitare që filluan më 8 tetor të vitit të kaluar, por nuk kishin pritur që efektet të ndjehen nga kaq shumë njerëz. 

Foto: arkivi

 

QËNDRONI TË LIDHUR