Katastrofa humanitare në Gaza duhet të ndalojë menjëherë, thonë Parisi, Londra dhe Berlini
- Katastrofa humanitare në Rripin e Gazës duhet të ndalojë menjëherë, bënë thirrje sot Parisi, Londra dhe Berlini në një deklaratë të përbashkët.
Londër, 25 korrik 2025 (MIA) - Katastrofa humanitare në Rripin e Gazës duhet të ndalojë menjëherë, bënë thirrje sot Parisi, Londra dhe Berlini në një deklaratë të përbashkët.
"Katastrofa humanitare, në të cilën jemi dlshmitarë në Gaza duhet të ndalojë menjëherë", theksuan tre vendet evropiane.
Ata iu përgjigjën në këtë mënyrë alarmit të shpallur nga KB-ja dhe organizatat joqeveritare se ekziston rreziku i urisë së menjëhershme dhe të përhapur në Gaza. Tre kryeqytetet evropiane u bëjnë thirrje qeverive evropiane që të heqin menjëherë kufizimet në shpërndarjen e ndihmës.
Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania gjithashtu kujtojnë se Izraeli duhet të respektojë detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar humanitar.
"Ka ardhur momenti për t'i dhënë fund luftës në Gaza", shtuan ata, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që t'i japin fund konfliktit duke lidhur një marrëveshje për një armëpushim të menjëhershëm.
Tre vendet evropiane përsëritën gjithashtu thirrjen e tyre për lirimin e pengjeve izraelite në Gaza dhe çarmatimin e Hamasit. Ata shtuan se kundërshtojnë fuqimisht çdo përpjekje për të imponuar sovranitetin izraelit mbi territoret e pushtuara palestineze.
"Kërcënimet për aneksim, ndërtimi i vendbanimeve izraelite dhe aktet e dhunës të kryera nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve kompromentojnë perspektivat për një zgjidhje të negociuar që parashikon bashkëjetesën me dy shtete", paralajmëruan Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar. mb/