• e enjte, 04 korrik 2024

Katër vjet nga anëtarësimi në NATO - vendi nuk është vetëm një faktor stabilizues në rajon, por edhe një nxitje për vendet fqinje

Katër vjet nga anëtarësimi në NATO - vendi nuk është vetëm një faktor stabilizues në rajon, por edhe një nxitje për vendet fqinje

Shkup, 27 mars 2024 (MIA) - Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO u realizua në një moment shumë të përshtatshëm, para fillimit të agresionit rus në Ukrainë. Integrimi në NATO dhe BE është përgjigja më e mirë ndaj ambicieve perandorake ruse. Ukraina është vetëm ndalesa e parë, dhe një ndër të tjerat do të jetë Ballkani Perëndimor, theksoi sot shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, i cili udhëhoqi manifestimin tradicional të NATO-s, me të cilën filloi Ditët e NATO-s në vend, duke shënuar katër vjetorin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe 75 vjet nga formimi i Aleancës.

“Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO u realizua në një moment shumë të përshtatshëm, para fillimit të agresionit rus në Ukrainë. Në këtë mënyrë vendi nuk është vetëm faktor stabilizimi i rajonit, por edhe nxitës për vendet e fqinjësisë sonë, të cilat kanë vullnet dhe janë të gatshëm të qëndrojnë pas vlerave dhe synimeve të përbashkëta euroatlantike”, tha Osmani, duke theksuar se tani është koha për t’i përshpejtuar proceset integruese evropiane dhe euroatlantike.

Sipas tij, tani, më shumë se kurrë, integrimi euroatlantik dhe evropian në Ballkanin Perëndimor është çelësi për përmirësimin e sigurisë dhe konsolidimin e stabilitetit. 

“Proceset integruese euroatlantike janë mjetet më të mira demokratike për parandalimin e konflikteve dhe ndërhyrjeve dashakeqe të palëve të treta”, tha ministri.

 Osmani përshëndeti zgjerimin e familjes transatlantike me dy shtete të reja anëtare - Finlandën dhe Suedinë, duke theksuar se ky hap është veçanërisht i rëndësishëm sepse do ta forcojë Aleancën dhe do ta forcojë më tej sigurinë euroatlantike.

Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë i obliguar për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, në fjalimin e tij tha se me krenari mund të themi se përmbushëm ëndrrën e shumë gjeneratave dhe se duhet të përmbushim ëndrrën e Bashkimit Evropian, tani më reale se kurrë.

"Rrethanat e sotme konfirmojnë se ne morëm vendimin e duhur, se ishim në anën e duhur. Ne kemi një justifikim të fortë për sakrificat e mëdha politike që bëmë sepse ishin të vlefshme për qytetarët dhe shtetin. Ashtu siç nuk hoqëm dorë nga NATO-ja, ashtu, pavarësisht nga të gjitha sfidat, nuk ka heqje dorë as nga BE-ja. Ashtu siç kemi vënë në plan të parë interesat e qytetarëve dhe të shtetit në krahasim me interesat personale apo partiake kur kemi marrë vendimet e vështira për NATO-n, të njëjtën gjë do të bëjmë edhe për anëtarësimin tonë në BE. Por, si sot për NATO-n, kur të festojmë përvjetor të anëtarësimit në BE, e dimë se qytetarët do të na jenë mirënjohës", tha Mariçiq.

Ai theksoi se me qëndrimin e përgjegjshëm që kemi ndaj reformave dhe negociatave për anëtarësim me BE-në, do të kemi sukses në arritjen e qëllimit, Maqedonia e Veriut të jetë një histori e suksesshme evropiane deri në vitin 2030.

Përfaqësues të shumtë të trupit diplomatik në vend u drejtuan me urime për 4-vjetorin e anëtarësimit të vendit në NATO, kontributin e tij në sigurinë kolektive dhe pikëpamjet e tyre për sfidat aktuale.

Ambasadorja suedeze Ami Larson Xhain, vendi i së cilës së fundmi u bashkua me NATO-n, shprehu mirënjohjen e Suedisë për mbështetjen e aplikimit të tyre për anëtarësim.

"Shpreh mirënjohjen time më së shumti për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e parezervë të aplikimit tonë në rrethana të vështira këtu dhe patëm mbështetje të gjerë nga ky vend në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe ju jemi mirënjohës për këtë. Ne do të jemi një partner i besueshëm dhe kredibil që do të tregojë solidaritet me të gjitha vendet anëtare të NATO-s, ne mezi presim të luajmë një rol të plotë vitin e ardhshëm për të festuar një vjetorin e anëtarësimit tonë në NATO.

Ambasadorja e Ukrainës Larisa Dir theksoi se Ukraina e uron Maqedoninë e Veriut për përvjetorin e katërt të anëtarësimit në familjen e fuqishme të NATO-s dhe tani po ndërton sistemin e saj të mbrojtjes, duke modernizuar armatën e Maqedonisë në përputhje me standardet e NATO-s dhe Qeveria e Maqedonisë, siç tha ajo, iu përgjigj kërkesave të Ukrainës për ndihmë me municion dhe armë.

"Ukrainasit i janë mirënjohës Maqedonisë së Veriut për ndihmën e saj dhe për marrjen e kaq shumë vendimeve për të ndihmuar forcat mbrojtëse të Ukrainës që të mbrohen kundër agresionit rus", tha Dir.

Ambasadori japonez Kazuja Ocuka dënoi agresionin rus kundër Ukrainës dhe shprehu solidaritetin dhe simpatinë më të thellë për Ukrainën dhe popullin ukrainas.

Ambasadori evropian Dejvid Gir përshëndeti Maqedoninë e Veriut për pajtueshmërinë e vazhdueshme 100 për qind me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe gjithashtu e vlerësoi atë për lidershipin e saj dhe shembullin që po jep në lidhje me Ukrainën. sa/

Foto: MPJ, SÇE

QËNDRONI TË LIDHUR