Kasami: Zgjedhje sa më shpejt, himni duhet të pasqyrojë realitetin në vend
- Lëvizja BESA është për mbajtjen sa më të shpejt të zgjedhjeve parlamentare, tha sonte lideri i kësaj partie dhe kryetar i komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Sipas tij, në koalicionin “Lidhja Evropiane për Ndryshim”, ku përveç Besës janë edhe Alternativa dhe Lëvizja Demokratike po bisedohet për kandidat presidencial për vendin, por ende nuk është përmendur propozim konkret apo ndonjë emër.
- Post By Fami Bajrami
- 23:32, 10 nëntor, 2023
Shkup, 10 nëntor 2023 (MIA) - Lëvizja BESA është për mbajtjen sa më të shpejt të zgjedhjeve parlamentare, tha sonte lideri i kësaj partie dhe kryetar i komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Sipas tij, në koalicionin “Lidhja Evropiane për Ndryshim”, ku përveç Besës janë edhe Alternativa dhe Lëvizja Demokratike po bisedohet për kandidat presidencial për vendin, por ende nuk është përmendur propozim konkret apo ndonjë emër.
Siç ka thënë Kasami në pjesëmarrjen e sontme në TV Sitel, votuesit dhe anëtarët e Aleancës për Shqiptarët (ASH) janë të përcaktuar si opozitarë dhe duan të jenë pjesë e ndryshimeve në zgjedhjet e ardhshme. Mbetet, theksoi Kasami, udhëheqësia e kësaj partie përfundimisht t'i dëgjojë strukturat e saj. I takon ASH-së, shton ai, të vendos nëse do të shkojë në zgjedhje si opozitë apo do ta mbështesë BDI-në. Në rastin e parë mund të japë kontribut serioz, ndërsa në të dytin, tha ai do të mbetet vetëm. Sido që të jetë, vlerësoi lideri i Besës, fakti që ASH “i shërben BDI-së dhe Qeverisë është në dëm të saj”.
Kasami është ndalur edhe te himni. Ai thekson se është shumë me rëndësi që ajo të reflektojë realitetin në vend, gjegjësisht të mos vlejë vetëm për maqedonasit, por edhe për etnitë tjera.
"Po kërkojmë zgjedhje sa më shpejt. Edhe raporti i fundit i Komisionit Evropian është dëshmi shtesë se zgjedhjet duhet të mbahen sa më parë. Kjo qeveri ka depërtuar thellë në procese korruptive dhe nuk i intereson BE. Vlerësojmë se zgjedhjet e shpejta do të ishin shpëtim për vendin dhe procesin e integrimit evropian. Për kandidatin presidencial ende nuk kemi vendosur. Po diskutojmë për një emër, kemi disa opsione, por është edhe në frymën e unifikimit tonë si tri parti opozitare të shqiptarëve. Zgjedhja e kandidatëve të mundshëm do të jetë në drejtim të asaj që kemi parashtruar si përcaktim dhe ofertë programore për zgjedhjet e ardhshme. Jemi të kujdesshëm në atë aspekt dhe tregojmë se si tri parti dhe liderë nuk kemi ndonjë kërkesë apo pretendim individual që dikush prej nesh të jetë kandidat për president. Kjo të jetë një tjetër derë e hapur për të fituar ndonjë parti politike që do donte t'i bashkohet idesë së ndryshimit, më në fund pas 20 vitesh te shqiptarët që është më e madhe se kërkesat dhe pretendimet individuale të secilit prej nesh. Qëllimi është të fitojmë zgjedhjet dhe të arrijnë ndryshimet për të mirë te shqiptarët dhe shoqërinë në përgjithësi", ka thënë Kasami.
Foto: printskrin