• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kandidatët me origjinë nga Maqedonia e Veriut në garën për këshilltarë komunal në Belgjikë

Kandidatët me origjinë nga Maqedonia e Veriut në garën për këshilltarë komunal në Belgjikë

Bruksel, 12 tetor 2024 (MIA) - Në Belgjikë nesër mbahen zgjedhjet për anëtarë të organeve të vetëqeverisjes lokale, ku në mesin e kandidatëve për këshilltarë ka edhe persona me origjinë nga Maqedonia e Veriut.

Sipas biznesmenit nga Antverpeni Ismet Ademi me origjinë nga vendi ynë, zgjedhja e një kandidati nga Maqedonia e Veriut për anëtar të këshillave komunal do të mundësojë përfaqësim dhe mbrojtje më të mirë të interesave të njerëzve që vijnë nga Maqedonia e Veriut, pavarësisht nëse ata janë shqiptarë, maqedonas, romë ose pjesëtarë të ndonjë komuniteti tjetër etnik në vend.

Nga viti 1992, që kur jam në Antverpen, kemi organizuar vetëm tubime private me qytetarët tanë nga Maqedonia e Veriut, por nuk ka pasur asnjë ngjarje me mbështetje institucionale. Nëse kemi njerëzit tanë në këshilla, do të mund të organizohet diçka nga shoqatat tona dhe me mbështetjen e komunave", thotë Ademi për MIA.

Ai thekson se konkretisht në administratën lokale në Antverpen në pozita udhëheqëse, përveç belgëve, ka edhe turq, marokenë, afganë..., por asnjëri prej tyre nuk është me origjinë nga vendi ynë. Me zgjedhjen e një këshilltari komunal nga vendi, sipas Ademit, do të krijohen kushte për përfshirje më të lehtë të njerëzve nga Maqedonia e Veriut në projekte të ndryshme të vetëqeverisjes lokale, me të cilat do të japin kontributin e tyre për të mirën e komunës dhe për anëtarët e komuniteteve tona.

Ademi është kandidat për anëtar të Këshillit të Qytetit të Antverpenit dhe Këshillit të Komunës Deurne në listën e partisë socialdemokrate flamane Përpara (Vorujt). Ligji zgjedhor i Brukselit mundëson që një person të jetë kandidat në listat zgjedhore të qytetit dhe komunës, por ai mund të mbajë vetëm një nga pozitat e këshillit në të cilin do të zgjidhej.

Ademi pret mbështetje nga një numër i madh i bashkqytetarëve të tij, por në radhë të parë nga pjesëtarët e komunitetit shqiptar, maqedonas dhe romë nga vendi dhe rajoni që jetojnë në Antverpen.

Angazhimet e tij kryesore janë krijimi i kushteve më të mira për të rinjtë dhe fëmijët, përmirësimi i transportit publik, transport urban falas për nxënësit dhe studentët e moshës nga 12 deri në 20 vjeç, zgjerim të sipërfaqeve të gjelbra dhe parqeve, renovimi i banesave sociale në qytet, mbështetja e të rinjve për zhvillimin e bizneseve të tyre, përmirësimi i higjienës publike dhe ofrimi i shërbimeve administrative dhe fizike dhe jo vetëm onlajn, në radhë të parë për të moshuarit.

Ademi thekson se synimi i tij është të punojë që të gjithë pjesëtarët e 174 bashkësive etnike në Antverpen ta ndjejnë qytetin si shtëpinë e tyre, pavarësisht nëse janë belgë, turq, shqiptarë, maqedonas apo pjesëtarë të ndonjë komuniteti tjetër.

Të drejtën e votës në zgjedhjet lokale në Belgjikë, përveç shtetasve belgë, e kanë edhe të huajt me vendbanim të ligjshëm dhe të rregulluar në vend, mes të cilëve ka edhe shumë persona me origjinë nga vendi. Deri më tani, votimi në zgjedhje në të gjitha nivelet në Belgjikë ishte i obligueshëm, por këtë vit për herë të parë në rajonin e Flandrisë, votimi në zgjedhjet lokale nuk është i obligueshëm dhe njerëzit me vendbanim të rregullt nuk janë automatikisht votues, por duhet të regjistrohen nëse duan të votojnë, afati i të cilit ishte 31 gushti.

Ademi thekson se shumë nga bashkatdhetarët tanë me vendbanim të rregullt në Belgjikë nuk janë njoftuar me kohë për këtë lajm, ndaj nuk janë regjistruar për të votuar në zgjedhje, gjë që së bashku me votimin jo të obligueshëm druan se do t'i sjellin dy deri në tre mijë vota më pak. Duke pasur parasysh se zgjedhjet lokale në Belgjikë zhvillohen me lista të hapura zgjedhore, vlerësohet se me këto vota të "humbura" sigurisht që do të fitonte një mandat në Këshillin e Antverpenit, por megjithatë në rastin aktual shpreson të sigurojë një mandat në këshillin e qytetit apo këshillin e komunës në Deurne.

Ademi është pronar i një kompanie që merret me ndërtimtari, sigurime, mirëmbajtje dhe shërbime, ku bashkëpunon edhe me kompani nga Maqedonia e Veriut nga të cilat  furnizon dritare dhe materiale për punimin e kuzhinave dhe fasadave si dhe për lyerje. "Ne importojmë nga Maqedonia në Belgjikë, gjë që është e rrallë", shton Ademi.

Përveç tij, në këto zgjedhje lokale, kandidate e Liberalëve dhe Demokratëve të Hapur Flamen (Open VLD) për anëtar të Këshillit komunal të Grimbergenit, i cili ndodhet në rajonin e Flandrisë, rreth 10 kilometra në veri të Brukselit, është Marina Vitanov Kërsteski.

Mbi të gjitha, ajo pret mbështetje nga bashkqytetarët e saj nga të gjitha komunitetet etnike me origjinë nga Maqedonia e Veriut, duke theksuar se angazhimi i saj si anëtare e mundshme e Këshillit Komunal të Grimbergenit do të jetë përmirësimi i kushteve të tyre të jetesës.

Kamuran Sejdi - Kamço, me origjinë nga Shkupi, është kandidat në listën e Pavarur për anëtarë të Këshillit në komunën flamane Bom.

Sejdi, ndër të tjera, avokon për një dialog më të mirë mes të rinjve dhe pushtetit, më shumë kujdes për kategoritë e moshuara të qytetarëve dhe personave me aftësi të kufizuara, rritjen e sigurisë në trafik dhe heqjen e tarifave të parkimit.

Ndër kandidatët për anëtarë të Këshillit në Komunën Sharleroa në listën e partisë qendrore valone (LE) është Elvira Hasan, me origjinë nga Shkupi.

Ajo thekson se nëse zgjidhet këshilltare komunale do t'i përkushtohet përballjes me sfidat sociale, me fokus të veçantë në tri fusha kryesore: shëndetësi, arsim dhe veprim social. "Qëllimi im është të garantoj kujdes cilësor në dispozicion të të gjithëve", shprehet Hasan në programin e saj. sa/

Foto: MIA/ Fejsbuk

QËNDRONI TË LIDHUR