• e mërkurë, 16 prill 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Kallas: Krimet e luftës të kryera në Ukrainë të mos mbeten pa u ndëshkuar

Kallas: Krimet e luftës të kryera në Ukrainë të mos mbeten pa u ndëshkuar

Strasburg, 1 prill 2025 (MIA) - Nuk duhet të lejojmë që krimet e luftës të kryera në luftën në Ukrainë të mbeten të pandëshkuara, sepse numri i tyre i mundshëm është thjesht i pabesueshëm, tha Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas në fjalimin e sotëm në Parlamentin Evropian në Strasburg.

"Transferimi dhe dëbimi i detyruar i fëmijëve ukrainas është një nga krimet më të mëdha të kryera, që është një shkelje ekstreme e të drejtave të njeriut", theksoi Kallas gjatë debatit parlamentar mbi "Krimet e luftës ruse në Ukrainë".

Ajo kujtoi se BE-ja është pjesë e koalicionit ndërkombëtar për t'i kthyer këta fëmijë në Ukrainë dhe do të bëjë gjithçka që mundet për t'i ribashkuar me familjet e tyre dhe se blloku ka vendosur sanksione ndaj të paktën 17 individëve përgjegjës për dëbimin, transferimin me forcë dhe riedukimin e fëmijëve ukrainas.

“Por pasojat për fëmijët në Ukrainë janë gjithashtu shkatërruese. Sipas “Shpëtoni fëmijët”, rreth katër milionë fëmijë të moshës shkollore janë përballur me ndërprerje në arsimin e tyre që nga fillimi i luftës”, tha Kallas.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së theksoi se që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës, janë dëmtuar rreth 4000 institucione arsimore, mbi 10 për qind e infrastrukturës arsimore të vendit është shkatërruar plotësisht dhe sulmet ndaj objekteve shëndetësore po rrezikojnë jetën e shumë fëmijëve, përfshirë ata me sëmundje kronike. Sipas saj, lindshmëria në Ukrainë u ul me 30 për qind gjatë luftës, duke e bërë normën e rritjes natyrore të vendit momentalisht, ndër më të ulëtat në botë. 

Kallas kujtoi se si dje, tre vjet më parë, u shfaqën video dhe foto që tregonin trupat e civilëve të shpërndarë në rrugët e qytetit ukrainas të Buça, fëmijë që iknin me familjet e tyre, vendasit që nxitonin të blinin sende ushqimore dhe njerëz që përpiqeshin të arrinin në shtëpitë e tyre.

“Një foto ose video e vetme ekspozoi në mënyrë efektive krimet e luftës dhe dëshmi për këtë ishin fotot, video incizimet telefonike dhe komunikimet e koduara të komandantëve përmes kanaleve radio ruse. Nuk mund të mohohet se dimë saktësisht se cilët janë autorët”, tha Kallas.

Sipas saj, fushata ruse kundër jetës dhe dinjitetit njerëzor nuk njeh kufij, siç dëshmohet nga raportimet për persona të zhdukur, tortura, ekzekutime dhe dhunë ndaj civilëve dhe robërve të luftës nga Forcat e Armatosura ruse në territoret e pushtuara.

“BE-ja do të vazhdojë të fillojë procedurat në çdo rast, kudo që të mundet, sepse asnjë ndalim i civilëve nuk mund të harrohet. Ne gjithashtu duhet të vazhdojmë të avokojmë për mbrojtjen e robërve të luftës dhe t'i bëjmë thirrje Rusisë që t'i përmbahet angazhimit të saj të gjatë ndaj ligjit ndërkombëtar humanitar, shtoi Kallas.

Ajo theksoi se një paqe e drejtë, gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme për Ukrainën, bazuar në Kartën e KB-së dhe ligjin ndërkombëtar, duhet të përfshijë shkëmbimin e robërve të luftës, lirimin e civilëve të burgosur dhe kthimin e fëmijëve ukrainas të dëbuar me forcë.

BE-ja ka mbështetur përpjekjet e Ukrainës për llogaridhënie dhe drejtësi që nga dita e parë, duke mbledhur prova që Prokuroria të nisë procedurat dhe të përgatisë kërkesat për dëmshpërblime për viktimat, theksoi Kallas, duke shtuar se Unioni mbështet fuqimisht Gjykatën Penale Ndërkombëtare, e cila ka lëshuar urdhra arresti për krimet e kryera, duke përfshirë edhe kundër presidentit rus, Vladimir Putin, komisares së të drejtave të fëmijëve Marija Lvova-Belova dhe sekretarit aktual të Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse, Sergej Shojgu.

Sipas saj, BE-ja po ndihmon autoritetet ukrainase në mbledhjen e provave të nevojshme për krimet e kryera, për të cilat deri më tani janë hapur rreth 170.000 raste.

“Për krimin konkret të agresionit, BE-ja po udhëheq aktivitetet për krijimin e një gjykate speciale. Ekspertët ligjorë përfunduan së fundmi negociatat teknike për Tribunalin. Këshilli i Evropës do të fillojë së shpejti procesin e shqyrtimit politik të dokumenteve themeluese të Tribunalit, duke përfshirë projekt-statutin e tij”, u tha Kallas eurodeputetëve.

Ajo shtoi se BE-ja mbështet funksionimin e Regjistrit të Dëmeve, i krijuar nën kujdesin e Këshillit të Europës dhe po punon në mënyrë aktive me partnerët e saj ndërkombëtarë për të krijuar një komision për të përcaktuar dëmet.

“Me çdo jetë të shkatërruar në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, ka një familje që jeton me dhimbje, në kërkim të paqes shpirtërore. Kur kjo luftë të përfundojë, dhe një ditë do të përfundojë, rimëkëmbja nuk do të jetë vetëm për rindërtimin e ndërtesave, por do të vijë edhe nga kërkimi i drejtësisë dhe përgjegjësisë për krimet e kryera nga Rusia, sepse vetëm drejtësia do t'i sjellë çdo familjeje ukrainase qetësinë shpirtërore që i nevojitet për të ecur përpara dhe për të rindërtuar jetën e tyre”, konkludoi Kallas.

Foto: Parlamenti Evropian

QËNDRONI TË LIDHUR