• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kallëzim penal ndaj ministres së Arsimit të Kosovës për lëshime në fillim të vitit shkollor

Kallëzim penal ndaj ministres së Arsimit të Kosovës për lëshime në fillim të vitit shkollor

Prishtinë, 4 shtator 2023 (MIA) - Dy partitë më të mëdha opozitare të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë njoftuar sot kallëzim penal ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, për shkak të, siç thonë, lëshimeve të saj të mëdha që pengojnë fillimin normal të vitit të ri shkollor, njoftoi korrespondenti i MIA-së nga Prishtina.

Procedurë penale kundër ministres Nagavci, në konferenca të ndara për media në Kuvendin e Kosovës,  kanë paralajmëruar kryetarët e grupeve parlamentare të dy partive, Abelard Tahiri (PDK) dhe Arben Gashi (LDK), pas debatit parlamentar për procesin e furnizimit të nxënësve të shkollave fillore me tekste  për vitin e ri shkollor.

Seanca e jashtëzakonshme e legjislativit, e thirrur me kërkesë të opozitës, u shty pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) nuk u paraqitën në sallën e Kuvendit, e cila nuk siguroi kuorum për hapjen e seancës dëgjimore dhe mundësisht të marrë vendime lidhur me veprimet e Ministrisë së Arsimit.

Kreu i deputetëve të PDK-së, Tahiri, ka akuzuar Nagavcin se me vendimin e Ministrisë për të mos i blerë tekstet shkollore, por për t'i subvencionuar prindërit që do t'i blejnë për fëmijët e tyre të shkollës fillore, ka privuar 210 mijë nxënës nga pajisja e tyre me librat e nevojshëm dhe gjithashtu nuk ka përmbushur detyrimin e saj ligjor.

Sipas Tahirit, LVV, në krye të së cilës është kryeministri Albin Kurti, është dashur të jetë e pranishme në seancën për çështjen e teksteve dhe pas kësaj sjelljeje "tani e tutje realisht nuk ka asnjë arsye të vetme që ky legjislacion të vazhdojë të punojë".

PDK-ja u bën thirrje edhe prindërve që të paraqesin kallëzim penal privat kundër ministres Nagavci, për privimin e fëmijëve nga librat shkollorë.

Edhe për partinë tjetër opozitare, LDK-në, vendimi për subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve është i kundërligjshëm, prandaj edhe kreu i grupit parlamentar të asaj partie, Arben Gashi, ka paralajmëruar kallëzim penal kundër Nagavcit.

Sipas Gashit, qeveria e Kurtit nuk është në gjendje të menaxhojë situatën e teksteve shkollore, duke shkaktuar "dëm të pariparueshëm ekonomik dhe emocional te prindërit".

Kallëzim penal ndaj ministres Nagavci kanë paralajmëruar edhe disa shtëpi botuese, për shkak të deklaratës së saj se asnjë ofertues nuk i ka plotësuar kushtet e tenderit të Ministrisë për prokurimin e teksteve shkollore. ia/sa/

QËNDRONI TË LIDHUR