Kallëzim penal kundër shkupjanit për "terrorizëm", rrejshëm ka raportuar për bombë të vendosur në një aeroplan në Aeroportin e Shkupit
- Nga Ministria e Punëve të Brendshme informojnë se është ngritur kallëzim penal kundër shkupjanit për "terrorizëm". Ai dyshohet për raportim të rremë se është vendosur bombë në një aeroplan në Aeroportin e Shkupit, pas çka aeroporti u mbyll për qarkullim disa orë, ndërsa fluturimet e planifikuara, u pezulluan.
- Post By Qefsere Abduli
- 10:25, 21 gusht, 2025
Shkup, 21 gusht 2025 (MIA) - Nga Ministria e Punëve të Brendshme informojnë se është ngritur kallëzim penal kundër shkupjanit për "terrorizëm". Ai dyshohet për raportim të rremë se është vendosur bombë në një aeroplan në Aeroportin e Shkupit, pas çka aeroporti u mbyll për qarkullim disa orë, ndërsa fluturimet e planifikuara, u pezulluan.
"Departamenti për Goditjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë pranë MPB-së - Sektori për Luftimin e Terrorizmit, në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ngriti kallëzim penal me procedurë të përshpejtuar kundër S.A. (26) nga Shkupi për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale "terrorizëm" sipas nenit 394 - b të Kodit Penal", sqarojnë nga MPB-ja.
Pasi janë ndërmarrë masat dhe aktivitetet është konstatuar se më 16 gusht në orën 02:41, ka bërë denoncim të rremë se është vendosur bombë në një aeroplan i cili nga Aeroporti Ndërkombëtar - Shkup duhej të niste fluturimin në drejtim të Republikës së Turqisë, pas çka aeroporti u mbyll për qarkullim disa orë, ndërsa fluturimet e planifikuara, gjithashtu, u pezulluan për disa orë, përkatësisht deri në përfundimin e kontrolleve antiterroriste.
"Gjatë ndërmarrjes së masave, dje, me urdhër gjykate, u krye bastisje në shtëpinë e S.A. në zonën e Kisella Vodës, me ç’rast u gjetën dhe u sekuestruan sende të ndërlidhura me ngjarjen, ndërsa ai u privua nga liria. Në bisedë zyrtare në stacion policor, ai e pranoi veprën", theksojnë nga Ministria.
Më herët, nga Prokuroria njoftuan për një urdhër të lëshuar për zhvillimin e një procedure hetimore ndaj një personi, për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka kryer veprën penale “terrorizëm”, ndërsa është propozuar edhe paraburgimi. qa/
Foto: "Fejsbuk" - faqja e Ministrisë së Punëve të Brendshme