Ka filluar debati mbikëqyrës për ndotjen e ajrit në Komisionin e përhershëm anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve
- Në Kuvend ka filluar debati mbikëqyrës për ndotjen e ajrit, organizuar nga Komisioni i përhershëm anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Kryetari i Komisionit, Dimitar Apasiev në fillim të debatit tha se këtë e kanë kërkuar 20 deputetë, duke u thirrur në të drejtën për mjedis të shëndetshëm të garantuar në bazë të nenit 43 të Kushtetutës dhe konventat e ratifikuara ndërkombëtare.
- Post By Fami Bajrami
- 12:31, 25 shkurt, 2025

Shkup, 25 shkurt 2025 (MIA) - Në Kuvend ka filluar debati mbikëqyrës për ndotjen e ajrit, organizuar nga Komisioni i përhershëm anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Kryetari i Komisionit, Dimitar Apasiev në fillim të debatit tha se këtë e kanë kërkuar 20 deputetë, duke u thirrur në të drejtën për mjedis të shëndetshëm të garantuar në bazë të nenit 43 të Kushtetutës dhe konventat e ratifikuara ndërkombëtare.
Në seancën mbikëqyrëse do të merren në pyetje përfaqësuesit e autorizuar dhe dëshmitarët të ndarë në gjashtë sesione - përfaqësues nga organizatat joqeveritare, komuniteti akademik, njësitë e vetëqeverisjes lokale, institucionet publike, përfaqësuesit e qeverisë dhe sektori privat.
Apasievi ka thënë se përfaqësuesit e qeverisë nuk iu përgjigjën ftesës për të marrë pjesë në seancën mbikëqyrëse dhe se ftesë morën edhe kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor dhe zëvendëskryeministër i parë Izet Mexhiti dhe ministrja e Energjetikës Sanja Bozhinovska.
I pari që është paraqitur për debat ka qenë Bojan Tërpevski nga Shoqata e juristëve të rinj i cili tha se praktika gjyqësore nuk parasheh mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe gjykatat nuk e përcaktojnë përgjegjësinë juridike në sferën e mjedisit jetësor dhe prandaj, tha ai, "kjo është një nga sfidat me të cilat përballet shteti".
Shoqata e tyre ka dy padi në gjykatat në Shkup dhe Manastir, kundër Qeverisë dhe Qytetit të Shkupit, gjegjësisht kundër MMJPH dhe komunës së Manastirit, si dhe procedura të tjera të iniciuara për ajër të ndotur dhe deponitë të egra dhe menaxhim jo të duhur të mbeturinave.
Fatkeqësisht, tha Tërpevski, të gjitha janë refuzuar dhe një si ankesë është para Gjykatës në Strasburg. Ka edhe një në proces ankimimi pranë Gjykatës së lartë administrative.
Ai theksoi se ka zgjidhje ad hok për mbrojtjen e ajrit, por nuk ka dokument strategjik.
"Hulumtimi ynë i vitit 2023 tregon rënie të numrit të të dhënave për koncentimin mesatar ditor të grimcave PM 10 dhe PM 2.5, që tregon se stacionet monitoruese shtetërore po përballen me probleme në sigurimin e të dhënave të vazhdueshme për koncentrimin e grimcave", ka thënë Tërpevski.
Sa i përket masave të ndërmarra nga Qeveria për t'u përballur me ndotjen e ajrit, siç tha ai, nuk e kontestojnë fare se po ndërmerren masa, por se është me rëndësi të shihen efektet dhe të kemi qasje strategjike në vend të masave ad hok.
Sipas tij, financimi për zbatimin e ligjeve për mjedisin jetësor është thelbësor dhe është i nevojshëm një ndarje më e madhe e mjeteve nga Buxheti.
“Ajo që e konsiderojmë si çështje shumë më me rëndësi është se cili është efekti i atyre masave që po ndërmerren jo vetëm nga kjo Qeveri, por edhe në planin afatgjatë, sepse kufiri për koncentrimin e grimcave PM 10 dhe PM 2.5 të cilat janë më problematike, janë tejkaluar vazhdimisht çdo vit mbi nivelin e lejuar, pra mbi 35 ditë konform legjislacionit tonë", ka thënë Tërpevski.
Foto: printskrin