• e hënë, 23 dhjetor 2024

Këshilli i Qytetit të Shkupit për herë të dytë nuk e pranoi propozimin e Arsovskës për blerjen e autobusëve ekologjikë

Këshilli i Qytetit të Shkupit për herë të dytë nuk e pranoi propozimin e Arsovskës për blerjen e autobusëve ekologjikë

Shkup, 30 mars 2023 (MIA) - Këshilli i Qytetit të Shkupit për herë të dytë e bllokoi propozimin e kryetares Danella Arsovska për kredi afatgjate për blerjen e autobusëve ekologjikë.

Këshilltarët e Qytetit të Shkupit të cilët nuk e kanë përkrahur propozimin thonë se nuk kanë marrë informacione të mjaftueshme për mënyrën e furnizimit, ndërsa nga qyteti i Shkupit shprehin keqardhje që këshilltarët në vend që t'i kënaqin shkupjanët, i kënaqin, siç thanë, liderët e partive.

Në konferencën e sotme për media para fillimit të mbledhjes së 27-të të Këshillit të qytetit, ajo kërkoi mbështetjen e këshilltarëve për blerjen e autobusëve të rinj ekologjikë, të cilët, siç tha ajo, do të përmirësojnë kushtet në transportin publik, do të ulin shpenzimet dhe efektin negativ ndaj mjedisit jetësor.

Përpjekja e dytë e kryetares vjen pas përpjekjes të dështuar dy muaj më parë, kur ajo u kërkoi këshilltarëve të votonin propozimin e saj për të marrë hua për blerjen e autobusëve të rinj ekologjikë.

Sipas propozimit, parashihet huamarrje e qytetit për furnizim të 50 autobusëve ekologjikë në vlerë prej 620 milionë denarë, gjegjësisht rreth 10 milionë euro.

Ndryshe, në mbledhjen e sotme këshilltarët nuk e kanë pranuar as propozimin për përcaktimin e shumës së subvencionit për automjete të blera ekologjike hibride apo elektrike. Qyteti i Shkupit me këtë pilot projekt është dashur të subvencionojë 200 mijë denarë për automjet. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR