• e martë, 24 dhjetor 2024

Joveski për "Onkologjinë": Le ta trajtojmë rastin në mënyrë profesionale

Joveski për

Shkup, 13 tetor 2023 (MIA) - Prokuroria nuk improvizon, por punon sipas planit, programit dhe udhëzimeve. Në këtë rast është e angazhuar e gjithë qendra hetimore dhe askush nuk mund të kërkojë aktakuzë për 20 apo 30 ditë. Është sekuestruar një dokumentacion i gjerë shkresor dhe elektronik, i cili kërkon nga ekspertët për të vërtetuar faktet. Mundemi këtu, bazuar në tragjedinë e njerëzve, të kërkojmë publicitet apo vota. Por më falni, unë distancohem nga kjo dhe nuk jam bashkëbiseduesi juaj në një çështje të tillë. Le ta trajtojmë qetë, të punojmë profesionalisht me rastin, e kush tha dhe çfarë tha, mund të diskutohet nëpër korridore, jashtë kësaj sallë, tha sot pasdite prokurori publik shtetëror Lubomir Joveski për "Onkologjinë".

Siç shpjegoi Joveski para Komisionit kuvendor për financim dhe buxhet, pasi paraprakisht anëtarët - deputetë të opozitës akuzuan se nuk është trajtuar si duhet dhe kërkuan përgjegjësi, për këtë çështje po punohet në vazhdimësi, dhe rastet nuk po hetohen veçmas, por në tërësinë e tyre. Është duke u hetuar, theksoi Joveski, nëse ekziston një skemë e organizuar e veprimit që ka lejuar keqpërdorime - nxjerrje të mjeteve apo trajtim jo të duhur. Dëgjohen edhe dëshmitarët, ndaj duke i krahasuar të gjitha të dhënat, Prokuroria duhet të arrijë në një vlerësim se kush çfarë veprimesh ka bërë, nëse ka ndarje rolesh në kryerjen e punës, nëse furnizimet kanë qenë të ligjshme dhe sipas procedurës.

Joveski thekson se nuk ka ndërmend të mbrojë askënd dhe i siguroi deputetët se rasti do të hetohet deri në fund. Nuk duhet vetëm aktakuzë, nënvizoi Joveski, por duhet të konfirmohet e vërteta materiale, të dëshmohet se çfarë ka ndodhur realisht dhe të kthehet besimi i qytetarëve në sistemin shëndetësor.

Ai ka përsëritur disa herë se parregullsitë e konstatuara në punën e Klinikës së Onkologjisë në raportin e revizionit nuk janë objekt i vlerësimit nga Prokuroria Publike (PP). Objekt i vlerësimit nga Prokuroria Publike, thekson Joveski, janë veprimet në të cilat ka vepër penale dhe autor i veprës penale.

Sipas Joveskit, situata për "Onkologjinë" është shumë e rëndë për t'u bazuar në spekulime. Në këtë moment, informoi ai, udhëhiqen më shumë raste për ngjarjet në Klinikën e Onkologjisë, për dallim nga më parë kur, siç tha ai, refuzoheshin edhe kur merreshin vendime se nuk ka pasur vepra penale.

Joveski gjatë diskutimit i propozoi Komisionit që të distancohet nga diskutimi i deputetit Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE, i cili, siç ka treguar prokurori, ka treguar emrat e personave të akuzuar. Kjo, thekson Joveski, është presion mbi Prokurorinë, lëndën dhe prokurorët. Në këtë kontekst, ai përmendi se nuk lejohet që deputeti të bisedojë me inspektorët e MPB-së, dhe nëse di diçka më shumë, është i obliguar që të raportojë në Prokurorinë Publike ose te prokurori kompetent i cili e udhëheq rastin konkret.

Për këtë, kryetari i Komisionit, Bojan Stojanovski, u përgjigj se askush nuk do të shkëputet, sepse e drejta e fjalës në Kuvend është e pacenueshme, e dhënë në Kushtetutë dhe në Rregullore.

Kovaçki paraprakisht e kishte akuzuar Joveskin për manipulim të opinionit sepse, siç përmendi, për "Onkologjinë" ka 45 ditë që nuk ka aktakuzë publike, ndërsa kryeprokurorja ka kohë që nuk ndodhet në vend. Bashkëpartiaku i tij Petar Risteski, nga ana tjetër, pyeti se sa prej 22 materialeve të dorëzuara në PP nga Enti Shtetëror i Revizionit janë hetuar dhe a janë ndërmarrë veprime aty ku ka shkelje të ligjit.

"Deputeti në pyetjen thotë se ka pasur parregullsi dhe shkelje të ligjeve, por nuk janë vepra penale. Ka shkelje, por ka autoritete përkatëse për to. Ndoshta në këtë pjesë është problemi midis përgjigjes sime ndaj pyetjeve dhe asaj që ai po paraqet. Unë e vlerësoj angazhimin tuaj për të arritur tek e vërteta, por dukshëm nuk e kuptuam njëri-tjetrin. Është e vërtetë që në kallëzim janë konstatuar parregullsi, por jo të gjitha përbëjnë krim. Prokuroria përgjigjet për ato veprime në të cilat konstaton se ka krim dhe autor të krimit. Prandaj, raporti i revizionit, nëse detyra e tij është ndjekja penale e autorëve të krimeve, do të strukturohet ndryshe", tha Joveski duke iu përgjigjur Risteskit. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR