Janevska dhe Andonovski në takim me Zaharieva: Maqedonia fokusohet në shkencë dhe inovacion dhe po merr mbështetje të shtuar nga programet e BE-së
- - Investimet në shkencë dhe inovacione, zbatimi i inteligjencës artificiale për qëllime kërkimore-shkencore, si dhe mundësitë për rritjen e mbështetjes evropiane për Maqedoninë, ishin temat për të cilat u diskutua në takimin e sotëm të ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, dhe ministrit për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, me komisioneren evropiane për start-up-e, kërkime dhe inovacione, Ekaterina Zaharieva, dhe drejtoren e Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian, Sabine Hentcler.
- Post By Fitore Curri
- 16:55, 21 tetor, 2025
Shkup, 21 tetor 2025 (MIA) - Investimet në shkencë dhe inovacione, zbatimi i inteligjencës artificiale për qëllime kërkimore-shkencore, si dhe mundësitë për rritjen e mbështetjes evropiane për Maqedoninë, ishin temat për të cilat u diskutua në takimin e sotëm të ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, dhe ministrit për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, me komisioneren evropiane për start-up-e, kërkime dhe inovacione, Ekaterina Zaharieva dhe drejtoren e Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian, Sabine Hentcler.
Siç informojnë nga MASH, takimi u mbajt në kuadër të mbledhjes ministrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Podgoricë, Mal i Zi, dhe ministrat e Maqedonisë së Veriut theksuan se shteti është i fokusuar në zhvillimin e shkencës dhe inovacioneve, duke krijuar më shumë mundësi për shkencëtarët dhe studiuesit.

"Me buxhet të ndjeshëm të shtuar nga shteti për këtë qëllim, këtë vit është inkurajuar realizimi i shumë projekteve shkencore-kërkimore me interes publik, të cilat korrespondojnë me objektivat e Strategjisë Kombëtare për specializim intelegjent . Me mbështetje më të madhe nga Bashkimi Evropian është intensifikuar edhe pjesëmarrja e potencialit shkencor-kërkimor maqedonas në Zonën Evropiane të Kërkimit (ERA), si dhe në Rrjetin Evropian për Bashkëpunim në fushën e kërkimit dhe teknologjisë (COST), dhe Programin Horizont, përmes të cilit janë financuar me 13 milionë euro 81 projekte nga vendi ynë", thonë nga MASH.
Në takim u theksua se Maqedonia ndjek trendet globale lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale, ndërsa mjetet e IA po gjejnë gjithnjë e më shumë përdorim edhe në hapësirën kërkimore-shkencore të Maqedonisë së Veriut.
Zaharieva dhe Hentcler përshëndetën iniciativën e Qeverisë për themelimin e parkut të parë shkencor-teknologjik nën përgjegjësinë e shtetit dhe theksuan se bashkëpunimi midis Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian po zhvillohet në kahje të mirë. fc/
Foto: Ministria e Arsimit dhe Shkencës