• e diel, 22 dhjetor 2024

Janë pushuar nga puna 15 nëpunës të lartë të policisë për shkak të dhënies së jashtëligjshme të lejeve për armë - MPB vendos mjet digjital me qëllim të qasjes jo selektive

Janë pushuar nga puna 15 nëpunës të lartë të policisë për shkak të dhënies së jashtëligjshme të lejeve për armë - MPB vendos mjet digjital me qëllim të qasjes jo selektive

Shkup, 15 nëntor 2024 (MIA) – Ministria e Punëve të Brendshme në të kaluarën u ka dhënë leje për armë personave të cilët nuk i kanë përmbushur kushtet ligjore dhe pas kontrollit të brendshëm të bërë 15 nëpunës të lartë të policisë janë pushuar nga puna. Këtë sot e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, me të cilin e prezantuan mjetin e ri digjital i cili duhet të mundësojë qasje jo selektive gjatë dhënies së lejeve, si dhe ta lehtësojë procesin e dhënies së dokumenteve të nevojshme qytetarëve. 

Toshkovski theksoi se një numër i madh i qytetarëve kanë dorëzuar personalisht te ai, si dhe te kabineti i tij ankesa dhe vërejtje lidhur me mënyrën në të cilën MPB-ja i ka zbatuar procedurat për dhënien e lejeve për posedim të armëve dhe pas hetimit të bërë ishte konstatuar se është vepruar në mënyrë selektive, ndërsa jo në mënyrë kronologjike siç duhej të vepronin. 

“Ministria e Punëve të Brendshme, Departamenti i Procedurave Disiplinore kanë zhvilluar procedurë disiplinore me propozim të Departamentit të Kontrollit të Brendshëm për një numër të madh personash dhe për ata ku janë konstatuar paligjshmëri, ndërsa në të njëjtën kohë nuk ishin vjetërsuar si raste, janë miratuar, me sa di unë, 15 vendime për pushim nga puna të funksionarëve të lartë të policisë që kanë lëshuar leje dhe kanë punuar në kundërshtim me ligjin. Sipas udhëzimeve të prokurorit publik kompetent, në periudhën e ardhshme do të vijojnë kallëzime penale për të gjithë ata që kanë prova se kanë kryer vepër penale konkrete. Unë supozoj se do të përdoret keqpërdorimi i pozitës dhe autorizimeve zyrtare apo puna e pakujdesshme në shërbimin publik, por këtë do ta vlerësojnë organet kompetente dhe institucionet kompetente, tha Toshkovski.

Që ky problem të zgjidhet në thelb, Toshkovski thotë se është bërë mjet digjital në bashkëpunim me Ministrinë e Transformimit Digjital i cili do t’i ulë shpenzimet dhe do t’i ndihmojë qytetarët ta realizojnë të drejtën e tyre, nëse e përmbushin. 

“Çdo gjuetar në Maqedoni e di se kjo procedurë është keqpërdorur në të kaluarën. Për të pasur një zgjidhje thelbësore dhe sistematike në bashkëpunim me Ministrinë e Transformimit Digjital, ne kemi krijuar një mjet digjital që do të mundësojë qasje jo selektive dhe sistematike për zgjidhjen e këtyre të drejtave të qytetarëve, pra atyre që u takojnë. Kjo do të thotë se do t'u mundësojmë qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre nëse plotësojnë kërkesat ligjore pa bërë shpenzime të panevojshme siç bënin deri dje. Pra, nga njëra anë, edhe po ulim shpenzimet, edhe po ulim hapat, por po përcaktojmë edhe një sistem që nuk do të mundësojë nga 5.000 raste të shqyrtohet rasti 4.528 dhe të zgjidhet pikërisht ai, bazuar në motive të panjohura për këdo, por mirë të njohura për publikun maqedonas. Për të zgjidhur lëndën numër dhjetë, fillimisht do të duhet të zgjidhen rastet nga numri një deri në numrin nëntë”, tha Toshkovski.

Sistemi, shtoi, do t’i plotësojë bazat e të dhënave dhe qytetarët nuk do të kenë nevojë të paraqiten personalisht në institucionet e nevojshme për të marrë një dokument, siç është vërtetim se nuk je i dënuar. 

“Qytetarët nuk do të kenë nevojë t'u drejtohen personalisht institucioneve të nevojshme, siç është Gjykata Themelore e Shkupit, për të marrë leje se janë të padënuar, si dhe shpenzimet do të zvogëlohen nga dy aspekte... Pa marrë parasysh a është ministër, shef, kryetari i ndonjë komisioni ose ndihmësministri i një dikasteri të caktuar, do të veprohet pa dallim dhe në mënyrë të njëjtë në lidhje me të gjitha kërkesat. Sistemi do të nxjerrë të dhënat dhe do të përcaktojë nëse i plotëson apo jo kërkesat dhe çdo aplikant do të njoftohet me e-mail nëse sipas bazave të të dhënave që disponojmë, ai ka të drejtë të mbajë armë apo nuk ka të drejtë të mbajë armë. Më tej në fazën e dytë ai do të duhet të marrë provat e duhura si certifikatë mjekësore, vërtetim që ka ndjekur trajnimin e kështu me radhë, gjë që kërkon shpenzim më të lartë financiar, rreth 500 euro. Të gjitha ato shpenzime kushtojnë, ndërsa këto do t’i bëjnë vetëm nëse paraprakisht informohen nga Ministria se i plotësojnë kushtet për marrjen e lejes konkrete”, tha Toshkovski. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR