• e hënë, 23 dhjetor 2024

Ivanoviq Kastared për MIA-n: Mosdallueshmëria e formave të dhunës me bazë gjinore çon në mosdenoncimin e tyre

Ivanoviq Kastared për MIA-n: Mosdallueshmëria e formave të dhunës me bazë gjinore çon në mosdenoncimin e tyre

Shkup, 28 nëntor 2023 (MIA) - Dhuna lë gjurmë të dukshme. Dhuna fizike është forma më e dallueshme në vend, gjë që nuk ndodh me dhunën psikologjike dhe ekonomike, përndjekjen, ngacmimet seksuale dhe gjuhën e urrejtjes drejtuar veçanërisht grave në jetën politike dhe publike. Në kohën e digjitalizimit global, përmes internetit janë krijuar forma të reja të dhunës.

Shefja e Zyrës së UN Women në Maqedoninë e Veriut, Vesna Ivanoviq Kastared, në një intervistë për MIA-n, thekson se mosdallimi i formave të dhunës çon në mos raportimin e tyre.

“Për shembull, detyrimi për marrëdhënie seksuale në martesë, në shoqërinë tonë konsiderohet “detyrim” i gruas, ndërkohë që është krim. Dhuna psikologjike, nga manipulimi te bullizmi dhe fajësimi i viktimave, është e përhapur. Varësia ekonomike e viktimave nga autori është një arsye shtesë për mos raportim, pasi shpesh nuk kanë ku të shkojnë dhe nuk kanë mjete për të jetuar, si dhe për t'u kujdesur për fëmijët nëse i kanë. Prandaj është e rëndësishme të punohet në fuqizimin ekonomik dhe riintegrimin e viktimave në mënyrë që ato të mund të qëndrojnë të pavarur dhe të dalin nga cikli i dhunës”, thotë Ivanoviq Kastared në intervistën në të cilën diskutuam për fushatën “16 ditë aktivizim kundër dhunës me bazë gjinore” në Maqedoninë e Veriut, por edhe në përgjithësi për situatën në vend në këtë sferë.

Ajo tregon të dhënat nga një studim i OSBE-së i vitit 2019 që tregon se vetëm dy për qind e grave raportuan se denoncuan incidentin më të rëndë të dhunës nga një partner aktual në polici, 21 për qind denoncuan dhunë nga një partner i mëparshëm dhe 28 për qind denoncuan dhunë nga një person i panjohur.

Sa i përket efekteve aktuale të fushatës, e cila zbatohet në vend që nga viti 2014 dhe globalisht që nga viti 2008, ajo thotë se ato janë të dukshme përmes ndryshimeve në rregulloret ligjore me shtimin e formave të ndryshme të dhunës dhe parashikimin e një reagimi të duhur të institucioneve ndaj autorëve të dhunës me bazë gjinore.

Në intervistë, ajo flet për ndryshimet në Kodin Penal, të cilat u futën këtë vit, që përcaktojnë forma të ndryshme të dhunës, ku në dhunën në familje, përveç asaj fizike, psikologjike dhe ekonomike tashmë përfshihen dhe një përkufizim gjinor, është shtuar dhuna me bazë gruan dhe në një numër të madh veprash penale nëse vepra është kryer gjatë kryerjes së dhunës me bazë gjinore konsiderohet rrethanë rënduese.

“Që të ndodhin ndryshime thelbësore në shoqëri, duhet kohë, si edhe për atë që dhuna të jetë e dallueshme dhe për reduktimin e saj. Gjatë 16 ditëve, të gjithë ne që punojmë për këtë çështje, si dhe të gjithë aktorët në vend, të bashkuar ngremë zërin kundër dhunës me bazë gjinore dhe arrijmë te njerëzit përmes aktiviteteve të ndryshme. Por puna jonë zgjat një vit të tërë, jo vetëm 16 ditë. Apeloj tek çdo grua dhe çdo mashkull që në mënyrë aktive të flasë dhe të luftojë kundër dhunës me bazë gjinore gjatë gjithë vitit”, tha Ivanoviq-Kastared në intervistën për MIA-n.

Vijon intervista e plotë me shefen e Zyrës së UN Women në Maqedoninë e Veriut, Vesna Ivanoviq Kastared:

Në Maqedoninë e Veriut ka filluar fushata “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”. Cili do të jetë fokusi këtë vit?

“Më 25 Nëntor – Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, filloi fushata “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”, e cila zgjat deri më 10 dhjetor – Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Në vend, kjo fushatë shënohet që nga viti 2014, ndërsa globalisht që në vitin 2008 nën markën “Bashkohuni” (UNiTE), me iniciativë të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Tema globale e këtij viti është " Investoni për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave" (UNITE! Invest to prevent violence against women and girls).

Në nëntë vitet e fundit edhe këtë vit, fushata tradicionalisht është përgatitur dhe zbatuar në partneritet me të gjitha agjencitë e Kombeve të Bashkuara në vend, me Delegacionin e BE-së në Maqedoninë e Veriut dhe Misionin e OSBE-së në Shkup, dhe qëllimi është ngritja e ndërgjegjësimit kolektiv në luftën për parandalimin e dhunës me bazë gjinore. Këtë vit fushata në vendin tonë është nën moton “Të inkurajuar dhe të mbrojtur” me idenë për të dërguar një mesazh inkurajues për viktimat e dhunës me bazë gjinore që të raportojnë të njëjtën gjë pranë organeve kompetente, por përveç kësaj të theksohet rritja e mbrojtjes së mundësuar nga ndryshimet e reja në Kodin Penal nga shkurti i vitit 2023, përmes të cilit janë njohur më shumë forma të dhunës me bazë gjinore dhe tashmë trajtohen si vepra penale.

Mesazhet e fushatës i drejtohen të gjithë shoqërisë, me një apel për viktimat dhe ata që janë dëshmitarë të dhunës që të mos e tolerojnë atë, por të marrin masa dhe ta denoncojnë atë. Këtu theksohet nevoja për mbështetje nga familja, miqtë dhe mjedisi, në mënyrë që çdo viktimë e vetme të inkurajohet të raportojë dhunën. Shoqërimi i viktimës gjatë denoncimit të dhunës është një element shtesë shumë domethënës, duke marrë parasysh frikën, dënimin nga mjedisi, pasigurinë e viktimës për rezultatin përfundimtar, si dhe në disa raste mosbesimin ndaj procesit që pason pas denoncimit të dhunës.

Çfarë aktivitetesh janë planifikuar këtë vit?

“Fillimi i fushatës 16-ditore të aktivizmit filloi me shfaqjen "Gjërat për të cilat nuk flasim" në regji të Nela Vitoshevicit, e cila u mbajt në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave - 25 Nëntori. Ndryshe, shfaqja bazohet në dëshmi intime, histori emocionale dhe monologje personale që nxisin dialogun për gjëra për të cilat nuk flasim publikisht. Kjo shfaqje u jep zë sfidave të nënvlerësuara shoqërore dhe inkurajon biseda të rëndësishme rreth stereotipeve gjinore, patriarkalizmit, besimeve tradicionale, diskriminimit gjinor dhe dhunës ndaj grave. Publiku ndoshta do të njohë incidente nga jeta e përditshme, nga situata me të cilat ata vetë ose të afërmit ose miqtë e tyre janë përballur. Është e rëndësishme të flitet me zë të lartë dhe të qartë për parandalimin e të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore dhe duke e bërë këtë e vendos temën në fokusin e vëmendjes, ndërgjegjëson publikun dhe dënon autorët.

Krahas ngjarjes qendrore për të shënuar fillimin e fushatës, gjatë 16 ditëve do të mbahen aktivitete të shumta të organizuara nga bashkësia ndërkombëtare, sektori civil, si dhe institucionet në mbarë vendin.

Shfaqje të shfaqjes së lartpërmendur në Shtip dhe Manastir, ngjarje me komunitete në disa qytete të vendit që përfshijnë debate, konkurse oratorike, shfaqje filmash dhe punëtori me grupe të ndryshme qytetarësh, si dhe përmes një fushate në rrjetet sociale në faqen e Facebook-ut “Vendos pikë” dhe pjesëmarrje në programe televizive me qëllim përditësimin e temës.

Kjo fushatë zhvillohet prej disa vitesh në vend. A ka arritur deri tani ndonjë efekt në ndryshimin e tendencave shoqërore në aspektin e dallimit, por edhe në uljen e dhunës?

“Që të ndodhin ndryshime thelbësore në shoqëri, duhet kohë, si dhe për të dalluar po ashtu edhe për të reduktiuar dhunën. Gjatë 16 ditëve, të gjithë ne që punojmë për këtë çështje, si dhe të gjithë aktorët në vend, të bashkuar ngremë zërin kundër dhunës me bazë gjinore dhe arrijmë te njerëzit përmes aktiviteteve të ndryshme. Por puna jonë zgjat një vit të tërë, jo vetëm 16 ditë. I bëj thirrje çdo gruaje dhe çdo burri që në mënyrë aktive të flasë dhe të luftojë kundër dhunës me bazë gjinore gjatë gjithë vitit. Efektet janë të dukshme nëpërmjet ndryshimit të rregulloreve ligjore si ndryshimi i Kodit Penal, duke shtuar format e ndryshme të dhunës dhe duke parashikuar reagimin e duhur të institucioneve ndaj autorëve të dhunës me bazë gjinore. Këtu duhet theksuar rëndësia e marrëveshjeve ndërkombëtare ndaj angazhimeve të tilla, siç është Konventa e Stambollit, veçanërisht nga aspekti i harmonizimit të legjislacionit të brendshëm me standardet dhe kornizat ligjore ndërkombëtare.

Është me të vërtetë e rëndësishme të informohen kategoritë e rrezikuara të qytetarëve se cilat janë shërbimet e parandalimit dhe mbrojtjes dhe cilat janë objekt i sanksionit ligjor. Është e rëndësishme edukimi i fëmijëve që në moshë të vogël, edukimi i duhur në shtëpi duhet të vazhdojë në sistemin arsimor, të ndërtohen breza të rinj, të cilët do të jenë të lirë nga stereotipat dhe paragjykimet, do të kenë respekt për të gjithë njerëzit, të vetëdijshëm se dhuna është e papranueshme të mos bëhen autorë të mundshëm të dhunës në të ardhmen. Një rol kyç në luftën kundër dhunës ndaj grave luan edhe media, e cila përveç informimit ka edhe funksion edukativ. Ato ndikojnë në formësimin e opinionit publik. Prandaj, është e nevojshme të promovohet barazia midis burrave dhe grave dhe për këtë qëllim është i nevojshëm bashkëpunimi me gazetarët, si dhe edukimi i tyre për raportimin me sens gjinor dhe të përgjegjshëm gjinor dhe përdorimin e gjuhës së ndjeshme gjinore.

Борбата против сексуалното и родово – базирано насилство на интернет е главна цел на проектот кој во наредните 18 месеци ќе го спроведува Програмата за развој на Обединетите нации (УНДП) во с

Konventa e Stambollit ka hyrë në fuqi në vitin 2018 në vend dhe forma të ndryshme të dhunës me bazë gjinore janë penalizuar në Kodin Penal. Cili është vlerësimi juaj për zbatimin e tyre?

“Vitet e fundit, qeveria i kushtoi vëmendje të veçantë përshtatjes së kuadrit ligjor dhe zhvillimit të strategjive dhe planeve të veprimit për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, duke përfshirë politikat për promovimin e barazisë gjinore. Hapa të mëdhenj përpara janë bërë përmes miratimit të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje, në janar të vitit 2021. Ky ligj përfshin përkufizimet e "dhunës ndaj grave", "gjinisë", "dhunës me bazë gjinore ndaj grave", “viktima”” dhe “gratë”. Ato janë marrë nga Konventa e Stambollit dhe për këtë arsye janë plotësisht në përputhje me të. Ligji rregullon parimin e kujdesit të duhur, përcakton kompetencat e të gjitha institucioneve relevante nga niveli qendror dhe lokal, si dhe të sektorit joqeveritar.

Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e njohur si Konventa e Stambollit, parashikon futjen e shërbimeve të përshtatshme për të gjitha format e dhunës me bazë gjinore, por edhe ndërmarrjen e detyrimit për qëndrueshmëri financimi të këtyre shërbimeve nga Buxheti i Shtetit. Numri i shërbimeve të specializuara dhe numri i vendeve nuk është ende i mjaftueshëm. Është gjithashtu e rëndësishme të krijohen shërbime që do të jenë të disponueshme për gratë me aftësi të kufizuara, si dhe shërbime të disponueshme në gjuhë të tjera që fliten në vendin tonë. Është e nevojshme të punësohet staf shtesë, i trajnuar siç duhet për njohjen apo dallueshmërinë dhe trajtimin e formave të ndryshme të dhunës me bazë gjinore.

Këtë vit u miratuan edhe ndryshime në Kodin Penal. U prezantua një përkufizim i dhunës seksuale dhe përdhunimit bazuar në mungesën e pëlqimit. Përndjekja dhe përdorimi i internetit, ngacmimi seksual dhe gjymtimi i organeve gjenitale të femrave tashmë janë përfshirë si vepra penale në Kodin Penal. Po kështu është edhe ngacmimi seksual, i cili mund të jetë verbal, joverbal, fizik dhe nëpërmjet teknologjisë. Më pas, në dhunën në familje, veç asaj fizike, tani përfshihet edhe ajo psikologjike dhe ekonomike. Në Kodin Penal është shtuar edhe përkufizimi i dhunës me bazë gjinore ndaj grave dhe në një numër të madh veprash penale, nëse krimi është kryer gjatë ushtrimit të dhunës me bazë gjinore, konsiderohet rrethanë rënduese. Gjithashtu, një dënim më i madh me burg caktohet nëse aktet e përdhunimit dhe përndjekjes kryhen nga bashkëshorti aktual ose ish-bashkëshorti ose partneri intim. Gjithashtu u krijua një Trup Koordinues Kombëtar, i cili përfshin pjesëmarrjen e shoqërisë civile. Zbatimi efektiv i dispozitave të Kodit Penal kërkon buxhet dhe burime njerëzore dhe është i nevojshëm trajnimi i të gjithë aktorëve të tjerë përkatës.

null

A njihen në vend forma të ndryshme të dhunës me bazë gjinore ndaj grave?

-

“Nëse marrim parasysh të dhënat dërrmuese se në nivel botëror një në tre gra është ende viktimë e dhunës me bazë gjinore, do të thotë se ndryshimet në ndërgjegje po ndodhin ngadalë. Vitet e fundit, si pasojë e jetës gjatë pandemisë të Kovid-it dhe në kuadrin e krizës ekonomike globale, në shumë vende të botës po ndodhin procese regresive në aspektin e barazisë gjinore, si dhe ka një rritje të dhunës ndaj grave dhe vajzave, si dhe thellimi i diskriminimit sistematik ndaj grave. Është fakt që lufta për të zhdukur qëndrimin e dhunshëm ndaj gruas zgjat shumë, por nuk duhet të braktiset për asnjë moment. Në të njëjtën kohë, një pjesë thelbësore e këtyre përpjekjeve është që së pari të njihet apo dallohet dhuna, në të gjitha format e saj.

Në të shumtën e rasteve flitet dhe dallohet vetëm për dhunën që lë gjurmë të dukshme – dhunë fizike, por jo, për shembull, dhunë psikologjike, dhunë ekonomike, përndjekje, ngacmim seksual, si dhe gjuhën e urrejtjes drejtuar sidomos grave në jetën politike dhe publike. Në kohën e digjitalizimit global, forma të reja të dhunës janë krijuar përmes internetit. Dëshira për të fajësuar viktimën, mungesa e mbështetjes qoftë edhe nga njerëzit më të afërt, trajtimi i problemit si çështje familjare, si dhe viktimizimi i shumëfishtë nga mjedisi dhe institucionet që shpesh herë ndodhen gratë që kanë mbijetuar apo kanë pësuar dhunë, niveli i ulët i ndërgjegjësimit dhe solidaritetit për këto çështje. Për dhunën seksuale nuk është e lehtë të flitet dhe sërish është e pranishme tendenca për të fajësuar viktimën për “provokimin”, si dhe stigmatizimi i viktimës në vend të dënimit të dhunuesit. Dhe kjo e bën të vështirë parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe trajtimin e pasojave të saj.

Табу тема се уште е семејното насиство, особено во помалите средини, како впрочем и секој друг вид насилство, бидејќи стравот од тоа што ќе каже на сето тоа малограѓанската околина, ако дозна

Dhuna seksuale dhe ajo në familje janë llojet më dominuese të dhunës me bazë gjinore, por në vend, statistikat ndër vite tregojnë se raportohen apo denoncohen shumë pak raste, sipas jush, a është kjo për shkak të mjedisit konservator apo mosbesimit në institucione?

“Po, është e vërtetë që raportohen shumë pak raste të dhunës ndaj grave. Të dhënat nga sondazhi i OSBE-së i vitit 2019 tregojnë se vetëm dy përqind e grave raportuan se kishin denoncuar në polici incidentin më të rëndë të dhunës nga një partner aktual, 21 për qind raportuan dhunë nga një partner i mëparshëm dhe 28 për qind raportuan dhunë nga një person i panjohur.

Siç e përmenda, për fat të keq, ne jetojmë në një shoqëri ku stereotipet gjinore janë ende të rrënjosura thellë, dhuna ndaj grave tolerohet dhe njihet në mënyrë të pamjaftueshme. Ndarja e roleve të burrave dhe grave brenda dhe jashtë shtëpisë, si dhe qëndrimi se dhuna në familje është çështje private, familjare dhe se gratë janë në varësi të burrave, të gjitha kontribuojnë në thellimin e problemit. Përveç kësaj, stigma rreth dhunës seksuale dhe përdhunimit dhe nivelet e larta të viktimizimit dytësor të përjetuar nga viktimat që raportojnë dhunën ose përdhunimin rezulton në shkallë të ulët të denoncimit të këtyre shkeljeve të të drejtave themelore të njeriut dhe dinjitetit të viktimave.

Gjithashtu, mosnjohja apo mosdallimi i formave të dhunës çon në mos denoncimin e tyre. Për shembull, detyrimi i marrëdhënieve seksuale në martesë konsiderohet si “detyrë” e gruas në shoqërinë tonë, ndërsa është një krim. Dhuna psikologjike, nga manipulimi te bullizmi dhe fajësimi i viktimave, është e përhapur. Varësia ekonomike e viktimave nga autori është një arsye shtesë për mos raportim, pasi shpesh nuk kanë ku të shkojnë dhe nuk kanë mjete për të jetuar, si dhe për t'u kujdesur për fëmijët nëse i kanë. Prandaj është e rëndësishme të punohet për fuqizimin ekonomik dhe riintegrimin e viktimave në mënyrë që ato të kenë pavarësinë e tyre dhe të dalin nga rrethi i dhunës.

Prandaj bëj apel: Të gjitha gratë dhe burrat duhet të ngrenë zërin kundër dhunës me bazë gjinore, të inkurajojnë dhe mbështesin viktimat dhe të dënojnë dhe ndëshkojnë autorët.

Ana Cvetkovska

Foto: Zyra e UN Women- Maqedonia e Veriut /Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR