• e shtunë, 21 dhjetor 2024

ITShKSh shënoi 580-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës dhe përuroi punën e vitit 2023

ITShKSh shënoi 580-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës dhe përuroi punën e vitit 2023

Shkup, 2 mars 2024 (MIA) - Në përvjetorin e 580-të të Besëlidhjes së Lezhës, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup mblodhi drejtues të institucioneve kulturore e shkencore, veprimtarë të çështjes kombëtare dhe studiues për të nderuar këtë moment të rëndësishëm në historinë tonë kombëtare dhe, siç është bërë tashmë traditë, kjo ngjarje u shfrytëzua edhe për të prezantuar veprimtarinë shkencore e botuese të Institutit përgjatë vitit të kaluar 2023.

Siç theksohet në kumtesën e ITShKSh, në përkujtimin e 2 marsit të vitit 1444, ku nën drejtimin e kryekomandantit Gjergj Kastriot Skenderbeut, në Lezhë u mbajt Kuvendi ku u lidh besa e bashkimit të princërve shqiptarë, në luftën me pushtuesin osman, drejtori i Institutit z. Skender Asani theksoi se arsyeja për ta kujtuar sot Besëlidhjen e Lezhës është shumëdimensionale dhe nuk i referohet vetëm raportit në mes historisë dhe ngjarjeve që u prodhuan pas tij, por ndërlidhet me sensin për t’u bashkuar para furtunave të rrepta që sillte koha.

Fjalë rasti patën edhe drejtori i Institutit Albanologjik në Prishtinë Lulëzim Lajçi, drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri” të Prishtinës Teuta Shala Peli, si dhe kryetari i Shoqërisë Lëvizja Xhevat Bislimi. Prezantimi i veprimtarisë hulumtuese u realizua nga sekretari shkencor Sefer Tahiri, ndërkaq botimet i prezantoi kryetari i Këshillit në cilësinë e redaktorit përgjegjës të botimeve Sevdail Demiri.

Gjithashtu, në këtë ngjarje, me vendim të Këshillit të ITShKSh-së, u ndanë dy mirënjohje me titullin “Mik i Institutit” për veprimtarin dhe zëvendësguvernatorin e Bankës Popullore në RMV - Fadil Bajrami, dhe për veprimtarin e zëvendësdrejtorin e Agjencisë së Mërgatës në RMV - Izmit Nura, në shenjë vlerësimi të bashkëpunimit të ngushtë dhe të frytshëm me Institutin gjatë viteve të kaluara, theksohet më tej në kumtesë.

Foto: ITShKSh

QËNDRONI TË LIDHUR