• e diel, 22 dhjetor 2024

Ish-ministri i Mbrojtjes Mediu beson se Shqipëria nuk ka kapacitete për të prodhuar armë për Ukrainën

Ish-ministri i Mbrojtjes Mediu beson se Shqipëria nuk ka kapacitete për të prodhuar armë për Ukrainën

Tiranë, 11 mars 2024 (MIA) - Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, duke komentuar deklaratën e Zyrës së NATO-s në Bruksel se “Prioriteti i Aleancës në Shqipëri është kalimi nga prodhimi i ngadalshëm në atë të lartë të municionit, për nevojat e luftës në Ukrainë” vlerëson se Shqipëria nuk ka kapacitete për një gjë të tillë.

“Në përgjithësi, kjo është një kërkesë e hershme e NATO-s, për shkak se Ukraina ka konsumuar shumë nga armatimet e vendeve të NATO-s. Nga studimet e bëra, është bërë e dukshme për nevojën që kanë vendet anëtare të NATO-s për të pasur një bazë armatimi dhe municioni dhe kohës së prodhimit të këtij municioni që minimalisht kërkon 2 deri në 3 vite dhe diskutimi apo kërkesa e Zelenksit e bën akoma dhe më interesante", deklaroi ai për Ora Njuz.

Ai zbulon se hera e fundit kur është tentuar një nismë për ringritjen e një fabrike të prodhimit të armëve ushatarake ka qenë në vitin 2007, por që nuk u realizua asnjëherë. Sipas tij do të ishte pozitive për Shqipërinë nëse do të prodhonte armatime, të ketë investime, por ajo që është më e rëndësishme në investime të tillë është ajo që të kapësh tregun.

"Kjo nevojë për armatim dhe municion i NATO-s nuk do të thotë që çdo vend do ta ketë mundësinë për të investuar dhe për të kapur atë nivel që kërkon tregu. Prandaj duhet një gjë e studiuar. Shqipëria, aktualisht nuk ka kapacitet për një gjë të tillë. Ne kemi pasur në Poliçan prodhimin e municioneve, kemi pasur në Mjekës prodhimin e lëndëve plasëse dhe kemi pasur në Gramsh fabrikën e prodhimit të kallashnikovëve. Në dijeninë time, ajo që kemi tentuar herën e fundit në vitin 2007-2008 së bashku me kompani amerikane për të prodhuar municione, por nuk di sot për sot që të ketë ndonjë industri funksionale”, theksoi ndër të tjera ish-ministri Fatmir Mediu.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski në samitin Ukrainë-Evropa Juglindore, i cili u mbajt në Tiranë më 28 muajin e kaluar, propozoi që Ukraina dhe vendet e Ballkanit të prodhojnë bashkërisht municione dhe armë.

Në pyetjen e gazetarëve në konferencën e përbashkët për shtyp me komisionerin evropian, Oliver Varheji, pas samiti, kryeministri shqiptar deklaroi se "të gjitha vendet pjesëmarrëse në samit dhe jo vetëm Shqipëria iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së Zelenskit":

Ai theksoi se Shqipëria nuk ka një industri për prodhimin e armëve ushtarake, por “po diskuton me partnerët për të gjetur marrëveshjen e duhur dhe për të ringjallur infrastrukturën e vjetër”. ls/

Foto: Fejsbuk i Mediut

 

QËNDRONI TË LIDHUR