• e hënë, 23 dhjetor 2024

Inflacioni për muajin tetor për ushqimin do të jetë nën 2 për qind, thotë Bekteshi

Inflacioni për muajin tetor për ushqimin do të jetë nën 2 për qind, thotë Bekteshi

Shkup, 3 nëntor 2023 (MIA) - Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi deklaroi se inflacioni në pjesën e ushqimit për muajin tetor do të jetë nën 2 për qind, ndërsa inflacioni i përgjithshëm në vend do të përgjysmohet.

"Sipas të dhënave të mia fillestare për muajin tetor të cilat do të publikohen nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) javën e ardhshme inflacioni në pjesën e ushqimit do të jetë nën 2%, ndërsa inflacioni i përgjithshëm në vend do të përgjysmohet në krahasim me muajin e kaluar dhe kjo është si rezultat i masave që ka ndërmarrë Qeveria, veçanërisht Ministria e Ekonomisë", tha numri një i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në intervistën për Temën e ditës në TV Sitel.

Ministri thekson edhe një herë se masat miratohen në komunikim të vazhdueshëm, takime me të gjitha palët e prekura nga prodhuesit deri te distributorët dhe rrjetet e supermarketeve. Ai ju dërgoi porosi të gjitha rrjeteve të supermarketeve, pas lajmërimeve nga distributorët dhe prodhuesit të mos kërkojnë fshehjen e tarifave të caktuara.

"Kemi paraqitje nga distributorët dhe prodhuesit se u kërkohet të mbulojnë disa tarifa siç janë reklamimi, marketingu etj., porosis supermarketet të mos e bëjnë këtë, sepse e dinë Ligjin për konsumatorët. Të mos e vendosim veten në një situatë ku disa prej rrjeteve të mëdha të supermarketeve të mbyllen. Por këtë herë kjo nuk do të zgjasë vetëm pesë ditë, kësaj radhe do të zgjasë 30 ditë", tha ministri Bekteshi. 

FOTO: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR