Ibrahimoviq: Mali i Zi e projektoi qëllimin që të bëhet anëtarja e 28-të e BE-së deri në fund të vitit 2028
- Ne kemi vendosur qëllim që të bëhemi vendi i 28-të i BE-së deri në fund të vitit 2028. Disa do të thoshin se kjo është ambicioze, por unë do të thosha se po i dërgojmë mesazh të fortë Brukselit dhe qytetarëve tanë se jemi gati për këtë. Shoqëria e Malit të Zi ishte e bashkuar rreth interesit kombëtar dhe kështu arritëm qëllimin tonë, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviç në konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Timço Mucunski.
- Post By Fami Bajrami
- 16:08, 25 prill, 2025
Shkup, 25 prill 2025 (MIA) - Ne kemi vendosur qëllim që të bëhemi vendi i 28-të i BE-së deri në fund të vitit 2028. Disa do të thoshin se kjo është ambicioze, por unë do të thosha se po i dërgojmë mesazh të fortë Brukselit dhe qytetarëve tanë se jemi gati për këtë. Shoqëria e Malit të Zi ishte e bashkuar rreth interesit kombëtar dhe kështu arritëm qëllimin tonë, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviç në konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Timço Mucunski.
"Nuk mund të flasim për sigurinë dhe prosperitetin e tërë Ballkanit Perëndimor, pa perspektivën evropiane dhe euroatlantike të rajonit. Çdo sukses i çdo vendi, çdo hap, çdo kapitull i hapur, çdo klaster i hapur, është një hap tjetër më afër Brukselit dhe drejt historisë evropiane. Nga ana tjetër, Mali i Zi aktualisht ka epitetin e liderit, por ne besojmë se suksesi ynë është edhe suksesi i Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor", tha ai.
Ai theksoi se ata të cilët janë euroskeptikë do të mposhten nëse vazhdojmë me reforma të forta dhe punojmë së bashku, e ajo është, tha, se qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë të përkushtuar që të bëhen pjesë e familjes evropiane.
"Është detyra jonë të punojmë, ndërsa gjithmonë do të ketë nga ata që do të vendosin pengesa në atë rrugë, por besoj se Qeveria juaj tani po dërgon një mesazh të qartë në të gjitha adresat dhe me energjinë dhe proaktivitetin e jashtëzakonshëm të ministrit tuaj të Punëve të Jashtme po ecën përpara dhe rruga nuk mund të ndalet", theksoi ministri malazez.
Ai theksoi se për të gjithë është e qartë se çdo ditë e humbur në rrugën për në Bruksel është humbje, para së gjithash për ato vende që duan të integrohen në BE, por humb edhe Unioni.
"Temat e sotme politike na paralajmërojnë jo vetëm neve në Ballkanin Perëndimor, por edhe të gjithë të tjerët se bota ka nevojë për një BE të fortë dhe të bashkuar. Nuk mund të flasim për një histori të suksesshme evropiane nëse ajo nuk përfshin vendet e rajonit dhe nëse nuk jemi të gjithë të bashkuar, domethënë nëse nuk kemi të gjithë një qëllim të qartë, e qëllimi është se bota meriton paqe, stabilitet dhe prosperitet. Është e qartë se Evropa ka nevojë për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke marrë parasysh zhvillimet gjeopolitike, veçanërisht pas agresionit rus kundër Ukrainës", tha ministri.
Ai shtoi edhe se mbi 80 për qind të qytetarëve në Mal të Zi thonë se duan që vendi të bëhet pjesë e BE-së.
"Ne nuk do të garojmë me kohën, ne po punojmë për të miratuar të gjitha reformat, ndërsa Brukseli këtë do ta njoh për shkak se kemi mbyllur tre kapituj në dhjetor vitin e kaluar, morëm një raport pozitiv nga KE-ja. Morëm epitetin e kryesuesit. Askush nuk na e ka dhënë, por Mali i Zi është qind për qind i përkushtuar në rrugën evropiane dhe besoj se ne do të jemi në BE deri në vitin 2028 dhe kjo do të jetë një nxitje e fortë për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që perspektiva evropiane dhe zgjerimi janë të gjalla dhe kur të miratohen të gjitha reformat dhe vlerat demokratike, edhe vendet e tjera do të anëtarësohen në BE", përfundoi ministri malazez dhe nënkryetari i Qeverisë, i cili gjendet për vizitë zyrtare në shtet. rq/bsh/
Foto: MPJ dhe TJ