• e martë, 24 dhjetor 2024

Hiseni për balancuesin: Minçevi dhe Dimitrievski të sillen si pushtet ekzekutiv, rasti të mos shfrytëzohet për pikë politike

Hiseni për balancuesin: Minçevi dhe Dimitrievski të sillen si pushtet ekzekutiv, rasti të mos shfrytëzohet për pikë politike

Shkup, 31 korrik 2024 (MIA) - Zëdhënësi i koalicionit "Vlen", Fari Hiseni duke reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Administratës publike Goran Minçev se tema me balancuesin është punë e kryer i tha ministrit dhe kryetarit të Lëvizjes ZNAM - Për Maqedoninë tonë, Maksim Dimitrievski të dalin nga fushata parazgjedhore dhe të veprojë si pushtet ekzekutiv.

"Edhe ministri Andonov tha se deri në miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë, mbetet aktiv instrumenti që është përdorur deri më sot. Porosis Dimitrievskin dhe Minçevin të sillen si pushtet ekzekutiv, të sillen si pjesë e kësaj qeverie dhe të dalin nga fushata parazgjedhore dhe nga deklaratat me qasje nacionaliste dhe të mos e përdorin rastin për të krijuar përçarje dhe për të marrë pikë politike. Sepse fundja ZNAM nuk është ndonjë faktor i madh në këtë qeveri", tha Hiseni.

Ministri i Administratës publike Goran Minçev dje ka theksuar se nuk ka ndërmend të provokojë asnjë nga partnerët e koalicionit, por vetëm se po zbaton ligjet.

"Nuk kam ndërmend të provokoj asnjë nga partnerët tanë të koalicionit. Po e përsëris, ne zbatojmë ekskluzivisht ligjet, ndërsa një nga parimet për të cilat ky koalicion ka rënë dakord është respektimi i ligjeve. Unë thjesht zbatoj ligjet. Në Ligjin për të punësuarit në sektorin publik thuhet qartë se balancuesi zbatohet ekskluzivisht për qytetarët që jetojnë në territorin e Republikës së Maqedonisë dhe ajo është popullsia rezidente konform të dhënave nga regjistrimi i fundit. Shpresoj se kolegët nga VLEN-i do të vetëdijesohen, t'i kushtojnë më shumë vëmendje leximit të ligjeve ekzistuese dhe t'i përkushtohen zbatimit të këtyre ligjeve dhe të mos merren me tema të politikës ditore", tha Minçevi.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, ai përsëriti se llogaritja në balancuesin, gjegjësisht përfaqësimin e drejtë të bashkësive etnike në administratën publike i referohet ekskluzivisht popullatës rezidente, gjegjësisht të gjithë banorëve që jetojnë në territorin e vendit. rq/

Foto: MIA

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR