Hiqet ndalesa për automjete të rënda transportuese nga Kriva Pallankë drejt VK Deve Bair
- - Prej orës 14:30 është hequr ndalesa për automjete të rënda transportuese në aksin rrugor Kriva Pallankë drejt vendkalimit kufitar Deve Bair, njoftoi ndërmarrja publike "Rrugët e Maqedonisë".
- Post By Fitore Curri
- 15:19, 16 dhjetor, 2023
Shkup, 16 dhjetor 2023 (MIA) - Prej orës 14:30 është hequr ndalesa për automjete të rënda transportuese në aksin rrugor Kriva Pallankë drejt vendkalimit kufitar Deve Bair, njoftoi ndërmarrja publike "Rrugët e Maqedonisë".
Ndalesa për automjete të rënda ishte vendosur për shkak të reshjeve të borës.
Mbetet ndalesa për automjete të rënda transportuese në akset rrugore krahu Mavrovë - Hanet e Mavrovës, Berovë - Liqeni i Berovës dhe Tetovë - Kodra e Diellit, gjegjësisht në shtrirjen nga fshati Lisec drejt Kodrës së Diellit.
Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) ka lëshuar një informatë të jashtëzakonshme për të gjithë personat që për momentin ndodhen në afërsi të Liqenit të Berovës - të mos udhëtojnë dhe nëse kanë nevojë për ushqim dhe ilaçe të lajmërohen në numrin 112 në QMK ku nga Komuna e Berovës do të dërgohet gjithçka që u nevojitet.
Qendrat rajonale për menaxhim me kriza në Berovë dhe Shtip, në komunikimin operativ koordinues përmes Sektorit për operacione dhe koordinim, kumtuan se rruga Berovë-Strumicë është plotësisht në ndërprerje për shkak të reshjeve të borës dhe pemëve që kanë rënë në rrugë. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s