Hetimi për zjarrin në "Puls" do të zgjerohet nëse sigurohen dëshmi për përfshirje të personave të tjerë, thotë Toshkovski
- Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski konfirmoi se hetimi për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan do të zgjerohen nëse sigurohen dëshmi për përfshirje të personave të tjerë.
- Post By Qefsere Abduli
- 17:15, 21 mars, 2025

Shkup, 21 mars 2025 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski konfirmoi se hetimi për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan do të zgjerohen nëse sigurohen dëshmi për përfshirje të personave të tjerë.
"Absolutisht do të rritet ky numër nëse sigurohen dëshmi për ata që kanë involvim të drejtpërdrejtë apo indirekt në ngjarjen kriminale", tha Toshkovski.
Në konferencën për mediat në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ministri dha deklaratë në lidhje me arrestimin e fundit të kryetarit të Komunës së Koçanit, Lupço Papazov. Sipas Toshkovskit, veprimet e ndërmarra nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) janë plotësisht në kuadër të autorizimeve ligjore dhe janë profesionale.
"Veprimet që i ndërmarrim me udhëzime të PP-së janë profesionale, është e qartë se gjithçka që kemi ndërmarrë në periudhën e kaluar është tërësisht në kuadër të autorizimeve ligjore që i kemi. Këtu nuk ka tanët apo tuajt, ka njerëz që janë përgjegjës dhe njerëz që nuk janë përgjegjës. Por, duhet ta respektojmë procesin e drejtësisë dhe hetimin duhet ta kryejmë tërësisht dhe me përkushtim, siç i ka hije një shteti që duhet të përgjigjet në mënyrë adekuate", tha Toshkovski.
I pyetur nëse deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski, se Papazov dha dorëheqjen për arsye morale kishte për qëllim shfajësimin e njerëzve të afërt me partinë e tyre, Toshkovski u përgjigj se ata i kishin ndërmarrë veprimet në përputhje me dëshmitë konkrete në atë moment,
"Absolutisht jo dhe e vërtetojmë me vepra. Në përputhje me veprimet e ndërmarra nga ana jonë, në një moment të caktuar, në përputhje me provat konkrete, kemi ndërmarrë hapa konkrete. Kur kemi siguruar prova konkrete për persona të caktuar në nivel të bazave të dyshimit, kemi bërë kallëzime penale. Kur të arrijnë deri në shkallën e dyshimit të bazuar, do të ketë aktakuzë", tha ai.
Për momentin, siç tregoi ai, po hetohet edhe nëse ka pasur kontrolle në diskotekë në dy vitet e mëparshme.
Në konferencën e sotme për media, ministri theksoi se në këtë moment më e rëndësishmja është të tregohet përgjegjësi përmes veprimit. qa/mb/
Foto: Arkivi i MIA-s