• e hënë, 23 dhjetor 2024

Hapen vendvotimet, të drejtë vote kanë 1.814.317 qytetarë

Hapen vendvotimet, të drejtë vote kanë 1.814.317 qytetarë

 Shkup, 24 prill 2024 (MIA)  - Në orën 7 filloi votimi për raundin e parë të zgjedhjeve të shtata presidenciale. Votohet në 3.480 vendvotime në vend, ku deri në orën 19 mund të ushtrojnë të drejtën e votës 1.814.317 qytetarë.

  Sipas Listës së mbyllur zgjedhore të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, për votim në shtet janë regjistruar 1.713.758 votues, 95.116 votues në punë apo qendrim të përkohshëm jashtë vendit, ndërsa 2.147 janë në vuajtje të dënimit apo në paraburgim. 

 Në ekstraktin e posaçëm të Listës zgjedhore për persona të cilët kanë parashtruar kërkesë për votim në përfaqësitë diplomatike konsullare apo zyrat konsullare janë evidentuar 2.569 votues, si dhe 191 anëtarë dhe zëvendësanëtarë të këshillave zgjedhorë të cilët do të kryejnë votim në PDK.

 Janë regjistruar edhe 534 votues, të cilët kanë parashtruar kërkesë për votim, në ekstraktin e posaçëm të Listës zgjedhore për persona të cilët gjatë zgjedhjeve ndodhen në institucione për kujdes jashtëfamiljar, si dhe dy votues me status të personave të zhvendosur në brendësi, në pajtim me evidencën e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.

 Dje, një ditë para zgjedhjeve, kanë mundur të votojnë gjithsej 6.935 të sëmurë dhe të pafuqishëm, të burgosur në SHNP dhe persona në paraburgim, në shtëpi të pleqve dhe shtetas tanë jashtë vendit.

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR