Hamasi: Izraeli e bllokon dërgesën e ndihmës në Gazë, që mund të ndikojë në lirimin e pengjeve
- – Burime të Hamasit sot konfirmuan se Izraeli e bllokon hyrjen e ndihmës në Rripin e Gazës, duke paralajmëruar se kjo mund të ndikojë në lirimin e pengjeve e paraparë me marrëveshjen për armëpushim.
- Post By Fitore Curri
- 15:18, 29 janar, 2025
Kajro, 29 janar 2025 (MIA) – Burime të Hamasit sot konfirmuan se Izraeli e bllokon hyrjen e ndihmës në Rripin e Gazës, duke paralajmëruar se kjo mund të ndikojë në lirimin e pengjeve e paraparë me marrëveshjen për armëpushim.
“Paralajmërojmë se shtyrja e vazhdueshme dhe mosrespektimi i këtyre pikave do të ndikojë në zbatimin e marrëveshjes, përfshirë edhe shkëmbimin e të burgosurve”, tha një përfaqësues i Hamasit.
Përfaqësues tjetër zyrtar, gjithashtu, saktësoi se lëvizja palestineze ka kërkuar ndërhyrje të ndërmjetësuesve të Katarit dhe të Egjiptit që “t’i detyrojnë okupatorët të respektojnë marrëveshjen dhe të shmangin krijimin e krizave”.
Vonesa ka të bëjë me lejet për hyrje të karburanteve, tendave, kamp shtëpizave, mekanizmit të rëndë, pajisjes spitalore, furrave dhe stacioneve për ujë, tha funksionari i parë. Ai shtoi se ekziston pakënaqësi te “grupet e rezistencës” për shkak të zvarritjes së Izraelit, të cilin e quan okupator.
Pas 15 muajve luftë në Rripin e Gazës, Izraeli dhe Hamasi nënshkruan marrëveshje për armëpushim, faza e parë e të cilës hyri në fuqi më 19 janar dhe duhet të zgjasë 42 ditë.
Sipas marrëveshjes, këtë javë duhet të lirohen gjashtë pengje, tre të enjten dhe tre të shtunën. Shtatë gra tashmë janë liruar në këmbim për 290 palestinezë të cilët gjenden në burgjet izraelite. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s