Grup i përbashkët pune nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia për bashkëpunim në krizën energjetike dhe projekte strategjike
Beograd, 25 korrik 2022 (MIA) - Zëvendëskryetarja e Qeverisë së Serbisë dhe ministre e Minierave dhe Energjetikës, Zorana Mihajloviq sot në Tiranë deklaroi se ministrat nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë pranuar iniciativën e Serbisë për formimin e një Grupi të përbashkët të punës për bashkëpunim në krizën energjetike dhe projekte strategjike, njofton korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.
Ajo tha se për sigurinë energjetike të rajonit në kushte krize kërkohet solidaritet, lidhshmëri dhe punë e përbashkët në projekte strategjike.
“Të gjithë ne në rajon jemi nën presion të madh për të siguruar se gjithçka do të jetë e mjaftueshme për dimrin, por e rëndësishme është se përveç zgjidhjes së problemeve momentale me furnizimin, të diskutojmë edhe për projekte strategjike dhe investime potenciale të përbashkëta, të cilat do ta bëjnë të gjithë rajonin energjetikisht më stabil. Duhet në të dyja rrugët të punojmë njëkohësisht. Të gjithë ne kemi disa avantazhe krahasuese, mangësi të caktuara dhe nevojë që të sigurohet stabilitet afatgjatë energjetik. Por, propozimi jonë ka qenë të formohet grup i përbashkët pune i Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë e cila do të merret me zgjidhjen e problemeve këtë dimër, por edhe me bashkëpunimin e mundshëm të projekteve të mëdha strategjike dhe më vjen mirë që ministrat tjerë e pranuan këtë propozim”, tha Mihajloviq e cila në panelin ka folur për sigurinë energjetike të takimit të Grupit për zbutjen e krizave në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur” në Tiranë, njoftuan nga kabineti i saj.
Ajo deklaroi se nuk ka arsye që të mos diskutohet vetëm për lidhjen e tregjeve, por edhe për balancimin e përbashkët i cili është i domosdoshëm në të gjitha vendet e rajonit.
“Shqipëria është mjaft e varur nga burimet e rinovueshme të energjisë dhe për momentin kur ka problem me BRE-në duhet të ketë energji bazë dhe kjo çështje është e rëndësishme si për Serbinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut”, tha Mihajloviq. Pres, shtoi ajo, që nga java e ardhshme të fillojmë punën në kuadër të grupit të punës edhe të presidentëve dhe kryeministrave të vendeve tona që t’ua prezantojmë propozimet për investime të përbashkëta, pa dallim nëse bëhet fjalë për termocenterale solare, termocentrale me erë, balancim të përbashkët, lidhje tregu, interkonekcione të gazit apo edhe depo nëntokësore të gazit.
Ajo theksoi se nuk mjafton që një vend të jetë energjetikisht i sigurt, por nevojitet që në mënyrë reciproke të ndihmojmë njëri-tjetrin, të jemi solidarë sepse askush nuk e di saktësisht se si do të jetë situata gjatë dimrit.
Në kushtet e krizës energjetike botërore, lidhja rajonale për siguri më të madhe energjetike dhe stabilitet energjetik është fokusi më i madh i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, vlerësoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
"Vendi ynë ka një rol kyç në lidhjen rajonale energjetike dhe me investime të reja dhe projekte infrastrukturore të vendeve të "Ballkanit të Hapur" po hapen potenciale të gjera ekonomike, në radhë të parë duke investuar në projekte kapitale në rrjetin e energjisë elektrike. Maqedonia e Veriut po punon intensivisht në ndërlidhjen e tubacioneve të gazit me Greqinë, Kosovën, Shqipërinë dhe Serbinë dhe plani është që në periudhën e ardhshme të ndërtohet një tjetër gazsjellës me Bullgarinë", tha Bekteshi.
Ai tha se në periudhën e ardhshme planifikohet të lidhet një Memorandum Mirëkuptimi me Republikën e Serbisë për realizimin e linjës interkonektive.
"Gjithashtu me Republikën e Shqipërisë është krijuar një grup pune në përputhje me Memorandumin e bashkëpunimit të nënshkruar dhe gjatë vitit 2022 do të nisin aktivitete më specifike për realizimin e projektit të linjës për ndërlidhjen me Shqipërinë", thekson Bekteshi.
Në Panelin në të cilin morën pjesë ministrat resorial nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut u diskutua mbi situatën aktuale në sektorin energjetik në të tri vendet, si dhe mundësitë të kontribuohet për një stabilitet më të madh energjetik në rajon përmes bashkëpunimit më të afërt dhe shfrytëzimit të avantazheve krahasuese të çdo vendi.