• e diel, 06 tetor 2024

Grubi u takua me ambasadorin e ri austriak, Martin Pamer

Grubi u takua me ambasadorin e ri austriak, Martin Pamer

Shkup, 24 gusht 2023 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, Artan Grubi sot realizoi takim me ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Austrisë në vend, Martin Pamer.

"Duke biseduar për marrëdhëniet bilaterale miqësore dhe duke i dëshiruar mirëseardhje në vend dhe sukses në kryerjen e detyrës, Grubi dhe Pamer shfaqën bindje se marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve do të vazhdojnë të zhvillohen edhe në të ardhmen", kumtoi Kabineti i Grubit.

Grubi, siç ceket, shprehi falënderim për mbështetjen që e merr vendi ynë nga Austria në proceset reformuese lidhur me eurointegrimet dhe për dinamikën me të cilën zhvillohet bashkëpunimi mes dy vendeve në shumë fusha.

Pamer dhe Grubi biseduan edhe për procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe nevojën për ndërtim të një konsensusi shoqëror për eurointegrime.

"Grubi e nënvizoi nevojën për mbështetje të opozitës për procesin e ndryshimeve teknike të Kushtetutës dhe harmonizimin e prëgjithshëm në rrugën drejt Brukselit, duke cekur se BE-ja dhe SHBA-ja nuk janë armiq të vendit tonë, por përkundrazi, të gjitha arritjet e vendit janë në partneritet dhe me mbështetje të SHBA-së dhe BE-së", qëndron në kumtesë.

Grubi dhe Pamer biseduan edhe për marrëdhëniet ndëretnike dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit si parakusht për kohezionin shoqëror dhe barazi mes bashkësive në vendin tonë. ab/

Foto: Kabineti i zëvendëskryeministrit Grubi

QËNDRONI TË LIDHUR