Grubi: Nga mediat mësova për vendimin e Departamentit të shtetit, vendimi më prek drejtpërdrejt dhe personalisht
- Ish zëvendëskryeministri Artan Grubi është deklaruar në rrjetet sociale pasi emri i tij është parë të jetë përfshirë në Listën e zezë amerikane. Grubi ka thënë se ky informacion të cilin e mori nga mediat e prek drejtpërdrejt dhe personalisht.
- Post By Fami Bajrami
- 00:37, 10 dhjetor, 2024
Shkup, 10 dhjetor 2024 (MIA)- Ish zëvendëskryeministri Artan Grubi është deklaruar në rrjetet sociale pasi emri i tij është parë të jetë përfshirë në Listën e zezë amerikane. Grubi ka thënë se ky informacion të cilin e mori nga mediat e prek drejtpërdrejt dhe personalisht.
“Në mungesë të informacionit të detajuar u njoha nga mediat për vendimin e sotëm të Departamentit të shtetit. Si një person që jetën time publike ia kam kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore dhe që gjithmonë kam punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian, ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht. Do të angazhohem me gjithë përkushtimin dhe maksimalisht, së bashku me miqtë dhe partnerët tanë, me të cilët kemi ndarë vizionin dhe punuar ndër vite për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, për të zbardhur plotësisht këtë çështje. Transparenca dhe përkushtimi ndaj vlerave demokratike do të vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e çdo veprimi tim”, shkroi Grubi.
Departamenti amerikan i shtetit bëri të ditur se vendos sanksione ndaj ish zëvendëskryetarit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi dhe gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të konsiderueshëm. Sipas komunikatës, Grubi dhe Bexheti kanë pranuar ryshfet për të minuar procedurën gjyqësore lidhur me dënimin penal të Sasho Mijallkovit, ish drejtor i Drejtorisë për zbulim dhe kundërzbulim (DZK).
Foto: arkivi i MIA-s