• e hënë, 23 dhjetor 2024

Grubi: Në takimet me Eskobarin kemi biseduar vetëm për përfundimin me sukses të ndryshimeve kushtetuese

Grubi: Në takimet me Eskobarin kemi biseduar vetëm për përfundimin me sukses të ndryshimeve kushtetuese

Shkup, 26 gusht 2023 (MIA) - Në takimet e djeshme me Eskobarin nuk është diskutuar fare për zgjedhje të parakohshme, është biseduar vetëm për përfundimin me sukses të ndryshimeve kushtetuese dhe vazhdimin e rrugës evropiane të vendit, deklaroi sot zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, Artan Grubi.

Në aktivitetin me rastin e hapjes së edicionit të tretë të manifestimit kulturo-shkencor “Drita e Gonxhes”, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, zëvendëskryeministri theksoi se gjatë takimeve është theksuar mbështetja e madhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për anëtarësimin e vendit në BE, si dhe për ndryshimet kushtetuese.

“Shpresoj që VMRO-DPMNE-ja e cila ka përcaktimin e saj programor për ta anëtarësuar vendin tonë, në fund do të gjejë forcë, do ta tejkalojë veten dhe do të votojë dhe do ta largojë këtë çështje nga agjenda politike ditore, sepse kjo është në interes të të gjithë qytetarëve”, deklaroi Grubi.

Ai ka theksuar se dy muaj pasiqë janë miratuar amendamentet teknike në Qeveri dhe pas dorëzimit në Kuvend, nuk ka pasur debat në publik lidhur me përmbajtjen e tyre.

"Shohim se dy muaj pas miratimit të amendamenteve teknike të Kushtetutës në Qeveri dhe dorëzimit në Kuvend absolutisht nuk ka asnjë debat mbi përmbajtjen e atyre amendamenteve në shoqëri, as nga komuniteti akademik, as nga organizatat joqeveritare, as nga mediat, por debati zhvillohet vetëm në aspektin e çështjeve politike, nëse duhet të ketë zgjedhje të parakohshme, nëse të formohet një qeveri e këtillë apo atillë, dhe jo në aspekt të asaj nëse janë të mira apo të këqija, nëse humbim apo fitojmë", theksoi Grubi.

Ai siguron se në të njëjtën ditë kur të miratohen ndryshimet kushtetuese, Kuvendi do të shpërndahet dhe do të mbahen zgjedhjet e parakohshme.

"Kemi kontakte, takime me partinë, shihemi çdo ditë në Kuvend, mundohemi t'i bindim, megjithëse e di, jam thellësisht i bindur, edhe ata vetë e dinë se kjo nuk i bën asgjë të keqe vendit tonë të përbashkët dhe shpresoj se do të gjendet një mënyrë jo vetëm me një pjesë të deputetëve, por me gjithë VMRO-DPMNE-në që të ecim përpara, dhe pastaj nëse ata duan mund në të njëjtën ditë ta shpërndajmë Kuvendin dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, pra ditën kur do të votojmë ndryshimet kushtetuese. Gjithashtu jemi të gatshëm të japim të gjithë dorëheqje, veçmë kemi bërë një gjë të tillë, ia kemi dorëzuar kryeministrit dhe kemi hequr dorë nga ideja që të kemi kryeministrin e parë shqiptar të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë vetëm ta shohim vendin në anëtarësuar në Bashkimin Evropian", ka thënë zëvendëskryeministri Grubi.

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR