• e hënë, 23 dhjetor 2024

Grubi: Ka një histeri ndaj BDI-së, nuk kemi lidhje me ndërhyrjen në M-NAV

Grubi: Ka një histeri ndaj BDI-së, nuk kemi lidhje me ndërhyrjen në M-NAV

Shkup, 11 janar 2024 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi sonte deklaroi se është i zhgënjyer nga ndërhyrja në M-NAV, se kjo ishte e panevojshme dhe se BDI nuk ka lidhje me rastin dhe se askush nuk është mbi ligjin. Sipas tij në vend ka një histeri shoqërore, veçanërisht ndaj BDI-së.

"Kemi bërë thirrje që ligji të vlejë për të gjithë njësoj dhe i kemi bëri thirrje publikut që të mos na gjykojë dhe mediat të mos jenë hetues e prokurorë e gjyqtarë dhe të gjykojnë para se të shihen të gjitha faktet. Ka pasur një presion të paparë ndaj gjykatësve nga opinioni dhe mediat", tha Grubi në emisionin “24 Analiza” në TV 24.

Grubi tha se ka folur me Bekim Nezirin dhe të tjerët që kanë marrë pjesë për të dëgjuar qëndrimin e tyre.

"Kam folur me Premtimin në telefon sepse të dy i kam miq dhe ai është në lidhje familjare me Nezirin. Të gjithë ata që janë përfshirë në atë incident janë të punësuar në institucione dhe kanë qenë në vendin e punës. Bekimi nuk ka marrë pjesë në asnjë konfrontim fizik me Premtimin dhe askënd tjetër. Ngjarja nuk ka ndodhur në kullën e kontrollit. Bekimi as nuk e ka hapur derën që të ketë zënkë. Ai punon atje dhe është këshilltar i drejtorit të përgjithshëm. Ngjarja nuk ka lidhje me BDI-në", ka thënë zëvendëskryeministri i parë Grubi.

Grubi në emision me telefon e ka kërkuar Omer Bunjakun i cili në media u përmend si një nga sulmuesit që opinioni siç theksoi të bindet se ai është në shtëpi dhe se prokuroria mund ta gjejë në çdo moment. Bunjaku në bisedë telefonike tha se të gjithë që kanë pretenduar se ka marrë pjesë në incidentin në M-NAV do t'i padisë dhe kërkoi falje publike.

"Omer Bunjaku është në shtëpi. Ai nuk ka qenë atje, as edhe ka marrë pjesë në incidentin, as që është i punësuar aty. E demantoi këtë publikisht, lajmi nuk u kontrollua, por u ekzagjerua me lajme të rreme. E gjithë kjo bëhet që të lidhet incidenti me BDI-në. Ky është rezultat i histerisë", ka thënë Grubi.

Nëse Omer Bunjaku gjatë asaj dite ka qenë në M-NAV-së, thekson Grubi, nëse ka marrë pjesë në të, “do të japë dorëheqje nga çdo pozitë në politikë dhe nuk do të ushtrojë asnjëherë funksion publik”.

Sipas Grubit, për rastin në M-NAV presion kanë ushtruar edhe disa nga ministrat e LSDM-së pra siç tha ai “eksponentë” të LSDM-së, VMRO-DPMNE-së, opozitës shqiptare dhe BDI-ja sipas tij asnjëherë nuk ka ndërhyrë në gjyqësorin.

“Ka një histeri shoqërore, sidomos në lidhje me BDI-në, sepse ajo vazhdimisht po fiton dhe sidomos me fushatën e VMRO-DPMNE-së se BDI-ja po sundon, se ka kontroll në shumicën e institucioneve, se një shqiptar do të jetë kryeministër... që është absolutisht e pavërtetë...", ka thënë Grubi. Sipas tij, çështje etnike në opinion nuk ka pasur gjashtë vite.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse komunikatën e djeshme të ambasadorit holandez e sheh si “shuplakë” për BDI-në, Grubi mohon një gjë të tillë.

“Jo, absolutisht jo. Nuk pashë se thotë që BDI të ndalet, por edhe nëse ka thënë ashtu është e pasaktë”, tha ai, duke shtuar se BDI është mbështetësi më i madh i reformave për drejtësi jo selektive. Rikujtoi se BDI ka iniciuar ligjin për veting.

Për kryetaren e Gjykatës supreme, Besa Ademi ai tha se nuk i bëjnë presion asaj.

"Nuk ka nevojë për presion ndaj Ademit. Ajo duhet të bëjë punën e saj", tha Grubi. Theksoi se Ademi njihet me shumë politikanë, sepse shteti është i vogël dhe siç tha “të gjithë dimë për njëri- tjetrin”.

Grubi gjithashtu mohoi se ka kompani që janë të lidhura me Lotarinë shtetërore.

Foto: TV 24

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR