• e hënë, 23 dhjetor 2024

Grubi: Anketat thonë se fronti evropian LSDM-BDI-ASH bindshëm do të fitojë në zgjedhjet më 8 maj

Grubi: Anketat thonë se fronti evropian LSDM-BDI-ASH bindshëm do të fitojë në zgjedhjet më 8 maj

Shkup, 12 janar 2024 (MIA) - Anketat thonë se fronti evropian LSDM-BDI-Aleanca për Shqiptarët dhe parti të tjera politike janë fituese në zgjedhjet më 8 maj të këtij viti edhe atë bindshëm, deklaroi mbrëmë zëvendëskryeministri i parë dhe funksionar i BDI-së Artan Grubi.

Në intervistë për emisionin "24 analizë" në TV 24 duke u përgjigjur në pyetjen se si do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme Grubi tha se ata i shohin anketat dhe mundësitë më të mira. 

Sipas tij, të gjitha opsionet janë të hapura edhe për zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale. Për atë nëse BDI do të shkojë në zgjedhje me LSDM-në thotë se po zhvillohen bisedime mes liderit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryeministrit dhe kryetarit të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski. Grubi tha se janë të hapura opsionet edhe për front të përbashkët LSDM-BDI - Aleanca për Shqiptarët, por edhe BDI - Aleanca - PDSH dhe partitë e Arianit Hoxhës dhe Skender Rexhepit, ndërsa po shqyrtohet edhe mundësia që BDI-ja vetë të dalë në zgjedhje. 

Ai ishte pa përgjigje konkrete se cili është opsioni më i afërt për BDI-në, duke thënë se mundësia më e afërt është që të fitojë një koalicion evropian. 

Grubi tha se BDI ka vija të kuqe dhe nuk do të koalicionojë me parti e cila nuk do të mbështesë "Maqedoninë evropiane, Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë, Marrëveshjen e Ohrit dhe njohjen e Kosovës". 

"Këtë nuk mund ta kalojmë. Vlerësoj se vështirë do të gjendet ndonjë parti politike shqiptare e cila do t'i shërbejë ndonjë skenari rus në Maqedoni", tha zëvendëskryeministri Grubi.

Për atë nëse dhe cilin kandidat për president do ta mbështesin, thotë se kjo varet nga raporti i partive në skenën politike. Për presidentin aktual Stevo Pendarovski, Grubi tha se këtë tashmë e kanë bërë në zgjedhjet e kaluara dhe nuk kanë kurrfarë rezerve për atë si kandidat, por që ai të jetë koncensual nuk varet vetëm nga BDI por edhe nga LSDM dhe nga Aleanca për Shqiptarët dhe nga partitë e tjera politike. 

BDI-ja, sipas tij, nuk frikësohet nga mbështetja e partisë së Albin Kurtit për partitë opozitare të shqiptarëve, duke thënë se ata për herë të tretë marrin pjesë në zgjedhje te ne. 

"Ai mori pjesë në zgjedhjet presidenciale duke mbështetur kandidatin për president", pastaj mori pjesë edhe në zgjedhjet parlamentare", shtoi Grubi.

Në intervistën e mbrëmshme për TV 24 ai mohoi lidhjen e BDI-së me ngjarjet në M-NAV. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR