• e hënë, 23 dhjetor 2024

Grant nga banka KfV për fazën e dytë të ndërtimit të parkut me erë "Bogdanci" dhe fazën e tretë të rivitalizimit të hidrocentraleve të mëdha

Grant nga banka KfV për fazën e dytë të ndërtimit të parkut me erë

Shkup, 18 mars 2024 (MIA) - SHA EMV dhe Banka gjermane KfV nënshkruan sot marrëveshjen për një grant prej 20 milionë eurosh për realizimin e fazës së dytë të ndërtimit të parkut me erë "Bogdanci" dhe për fazën e tretë të rivitalizimit të gjashtë hidrocentraleve të mëdha Vrutok, Vërben, Raven, Tikvesh, Shpilje dhe Glloboçicë.

Me realizimin e fazës së dytë të parkut me erë "Bogdanci" përfundon projekti në tërësi me një fuqi totale të instaluar prej 50 megavat. Gjithashtu, është planifikuar ndërtimi i rrugëve hyrëse, si dhe një rrjet kabllor 20 kilovolt. Lokacioni do të jetë pjesë e parkut ekzistues të termocentraleve me erë në kodrat  Ranavec dhe Glavit në një lartësi mbidetare prej 300 deri në 500 metra. Nga ana tjetër, me fazën e tretë, nga rivitalizimi i gjashtë hidrocentraleve, parashikohet zëvendësimi i pajisjeve të vjetruara dhe të amortizuara për të arritur një reduktim të kohës së ndërprerjes për shkak të mirëmbajtjes së planifikuar ose të paplanifikuar, rritjes së besueshmërisë dhe stabilitetit të sistemit, si dhe mbrojtjen e mjedisit.

"Nënshkrimi i sotëm i marrëveshjeve të grantit për realizimin e projekteve që kanë të bëjnë me fazën e dytë të parkut me erë në Bogdanci, si dhe fazën e tretë të rivitalizimit të hidrocentraleve të mëdha, që kapin vlerën prej 20 milionë eurosh, paraqet një tjetër konfirmim të politikave të suksesshme të Qeverisë në pjesën e dekarbonizimit të sektorit energjetik, si dhe përkushtimi i EMV-së për ndërtimin e një sektori të qëndrueshëm energjetik që ka kapacitet për t'u përballur me sfidat e flukseve ekonomike globale", tha Vasko Stefanov, drejtor i përgjithshëm dhe kryetar i Bordit Drejtues të SHA EMV pas nënshkrimit të kontratave për grant.

Ai theksoi se parku ekzistues i erës “Bogdanci” në funksionimin e tij 10-vjeçar me prodhimin e mbi 1000 gigavat orë energji elektrike ka tejkaluar planin e prodhimit që ishte paraparë në projekt dhe studimet për realizimin e këtij projekti.

"Parku me erë "Bogdanci" nuk është investim vetëm për energjinë, ai është investim në ekonominë tonë, investim për të ardhmen e qytetarëve tanë. Realizimi i kësaj faze të dytë do të kontribuojë në krijimin e vendeve të reja të punës, zhvillimin e komunitetit lokal dhe përmirësimin e infrastrukturës energjetike. Me rëndësi të veçantë është fakti se parku me erë i Bogdancit nuk është vetëm faktor vendor, por edhe ndërkombëtar me kontribut të veçantë në luftën kundër ndryshimeve klimatike", theksoi Stefanov.

Angazhimi ynë për energjinë e rinovueshme, shtoi ai, jo vetëm që na bën lider në rajon, por gjithashtu kontribuon në idenë globale të tranzicionit drejt energjisë së qëndrueshme dhe të pastër.

"Zbatimi i fazës së tretë të projektit për rivitalizimin dhe modernizimin e hidrocentraleve të mëdha filloi një vit më parë me nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë për gjashtë hidrocentralet e mëdhenj Vrutok, Vërben, Raven, Tikvesh, Shpilje dhe Glloboçicë, të cilat sigurojnë nga 20 deri në 30 për qind të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike në vend. Ky projekt parasheh ndërrimin e pajisjeve të vjetruara dhe të rrënuara në hidrocentralet për të arritur zvogëlimin e kohës së ndërprerjes për shkak të mirëmbajtjes së planifikuar ose të paplanifikuar, rritjes së besueshmërisë dhe stabilitetit të sistemit, si dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor", theksoi Stefanov.

SHA EMV, siç tha ai, në periudhën e ardhshme do të ballafaqohet me sfida serioze lidhur me zhvillimin ekonomik të vendit tonë, që është dekarbonizimi i sektorit të energjisë.

"Me ndihmën e partnerëve tanë dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, këtu do të përmendja edhe KfV-në, por edhe BERZH, BEI dhe të tjerë të pranishëm në rajon po punojnë për një plan serioz investimi me të cilin tranzicioni energjetik duhet të zbatohet me sukses jo vetëm në EMV, por edhe në sistemin energjetik të Maqedonisë", thekson Stefanov.

Holger Shreder, udhëheqës i Departamentit për Fqinjësi të Mirë dhe Zgjerim në BE tha se kriza energjetike na tregoi se sa e rëndësishme është të investohet në burimet e rinovueshme të energjisë dhe shtoi se vendi është lider në fushën e tranzicionit të energjisë në Ballkanin Perëndimor.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë projektet në fushën e burimeve të rinovueshme të energjisë.

Ambasadorja gjermane në vend, Petra Dreksler, theksoi se parku me erë "Bogdanci" tregoi se mund të realizohen investime kapitale komplekse në këtë rajon.

Pablo Obrador, drejtor i Departamentit të Energjisë për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në bankën KfV, tregoi se investimi në tranzicionin energjetik është investim në të ardhmen.

"Me procesin e pakthyeshëm të dekarbonizimit, është me rëndësi të madhe rritja e investimeve në burimet e rinovueshme për të rritur sigurinë energjetike dhe për të zbutur ndikimet negative në klimë”, tha Obrador.

Ai theksoi se do të vazhdojnë të mbështesin sa më shumë dekarbonizimin në vend dhe shtoi se sipas tij nuk ka alternativë tjetër. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR