Gjyqësori në vitin 2025 kishte 6 milionë euro më shumë për paga, ata po kërkojnë edhe 22 milionë euro të tjera
- Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska mbrëmë tha se për momentin po bëhen analiza për përqindjen që do të marrë gjyqësori, ndërsa krahasimet bëhen edhe në bazë të asaj se si është rregulluar në vendet evropiane.
- Post By Fami Bajrami
- 15:44, 15 nëntor, 2025
Shkup, 15 nëntor 2025 (MIA) - Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska mbrëmë tha se për momentin po bëhen analiza për përqindjen që do të marrë gjyqësori, ndërsa krahasimet bëhen edhe në bazë të asaj se si është rregulluar në vendet evropiane.
"Kryeministri tha sot se do të ketë një marrëveshje sipas së cilës do të ketë një përqindje të caktuar që do të marrë gjyqësori. Duhet të përmend se aktualisht po bëjmë analiza për të parë se si është në vendet evropiane, sepse përqindja që përmendi është shumë më e lartë se përqindja e ndarë për gjyqësorin në vendet evropiane", tha Dimitrieska Koçoska.
Ajo bëri një krahasim me buxhetet e gjyqësorit në vitet e fundit, si dhe mjetet që ata kërkojnë.
"Do të doja të shfrytëzoja këtë rast për të komentuar se buxheti i tyre në vitin 2025 ishte 2.85 miliardë denarë dhe pastaj me ribalancin 2.74 miliardë denarë, për vitin e ardhshëm janë në të njëjtin nivel si vitin e kaluar dhe më duhet të përmend se ata kërkuan 5.22 miliardë denarë (rreth 80 milionë euro). Pra, nga 2.7 miliardë ata kërkuan 5.22 miliardë denarë. Për më tepër, limiti konform ligjit të buxhetit, gjatë përgatitjes së buxhetit, çdo përdorues buxhetor merr nga Ministria e Financave një limit brenda të cilit duhet të planifikojë shpenzimet e tij. Limiti i tyre ishte 2.99 miliardë denarë. Ajo që është shumë e rëndësishme për mua, sa u përket pagave, pagat për vitin 2023, për shembull për të bërë një krahasim ishin 1.99 miliardë denarë dhe pagat në vitin 2025 janë 2.33 miliardë denarë (38 milionë euro, 6 milionë euro më shumë), ndërsa pagat që ata kërkuan në atë qarkullim buxhetor për pagat ishin 3.75 miliardë denarë (ose plus rreth 22 milionë euro). Pra, nga 2,3, ata kërkuan pothuajse 1.4 miliardë denarë më shumë në kushte kur kemi konsolidim fiskal, kur dikur shpenzohej shumë më tepër se sa lejohej dhe tani duhet ta kthejmë shtetin në normalitet që do të thotë se vitin e ardhshëm duhet të arrijmë një deficit buxhetor prej tre për qind", tha ajo.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se deri në fund të vitit do të miratohen ligjet reformuese që lidhen me gjyqësorin dhe meqenëse ato kërkojnë pavarësi financiare, po analizohet se si është zgjidhur kjo në vendet e tjera të Evropës, por thekson se do të kërkohet llogaridhënie për çdo qindarkë të shpenzuar përmes Entit Shtetëror të Revizionit dhe komisionit parlamentar.
Mickoski tha dje se ka realizuar takim me ministrat e Punëve të jashtme dhe tregtisë, Çështjeve evropiane dhe Financave dhe se po analizohen disa modele brenda Bashkimit Evropian. Nuk mundemi, theksoi ai, të kërkojmë 0.8 për qind, ndërsa në shumë vende më të zhvilluara është 0.2, 0.3 ose 0.4 për qind.
Foto: MIA