• e martë, 19 nëntor 2024

Gjykata Themelore Tetovë konfirmoi se ka vendim për emërimin e Ziadin Selës për kryetar të Aleancës për Shqiptarët

Gjykata Themelore Tetovë konfirmoi se ka vendim për emërimin e Ziadin Selës për kryetar të Aleancës për Shqiptarët

Tetovë, 3 prill 2024 (MIA) - Gjykata Themelore në Tetovë zyrtarisht ka informuar se është pranuar kërkesa për ndryshime në partinë politike Aleanca për Shqiptarët pas së cilës është marrë vendim që në të ardhmen për kryetar të partisë emërohet Ziadin Sela. Dje këtë e ka bërë të ditur krahu i Ziadin Selës.

"Gjykata Themelore e Tetovës njofton se është marrë Vendimi me.nr.1/24 prej datës 01.04.2024, me të cilin pranohet Kërkesa për regjistrim të ndryshimeve në partinë politike Aleanca për Shqiptarët me seli në Tetovë dhe Kërkesës për ndryshimin e statusit të partisë, në regjistrin gjyqësor të partive politike me nr.1/24 i cili udhëhiqet pranë Gjykatës Themelore të Tetovës, pra evidentohet ndryshimi rreth pozitës së kryetarit ku në të ardhmen për kryetar të partisë emërohet Ziadin Sela nga fshati Livadhi-Strugë, në vend të kryetarit të deritashëm të partisë Arben Taravari nga Gostivari", thuhet në përgjigjen nga Gjykata Themelore e Tetovës pas kërkesës së MIA-s.

Nga krahu i Arben Taravarit sot në konferencë për shtyp shpjeguan se tre gjyqtarë janë ndërruar para miratimit të këtij vendimi.

Përfaqësuesi juridik Abedin Abduli tha se vendimi i Gjykatës nuk është përfundimtar dhe se brenda afatit të caktuar prej 15 ditësh do të parashtrohet ankesë në Gjykatën e Apelit në Gostivar, si dhe do të shqyrtohen të gjitha mundësitë për përgjegjësi penale dhe procedurale të kryetarit të Gjykatës dhe gjykatësit. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR