Gjykata Kushtetuese fillon debatin për Ligjin për gjuhët
- Gjykata Kushtetuese sot do të mbajë seancën e 32-të ku një ndër pikat e rendit të ditës është edhe iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve në lidhje me Dekretin për shpalljen e tij, të ligjit në tërësi, si dhe veçmas 25 nenet e ligjit. BDI në prag të seancës ka filluar “roje për gjuhën” me prezencë 24 orëshe para Gjykatës Kushtetuese ku thonë se qëndrojnë në “mbrojtje të Ligjit për gjuhët”.
- Post By Fami Bajrami
- 07:50, 11 dhjetor, 2024
Shkup, 11 dhjetor 2024 (MIA) - Gjykata Kushtetuese sot do të mbajë seancën e 32-të ku një ndër pikat e rendit të ditës është edhe iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve në lidhje me Dekretin për shpalljen e tij, të ligjit në tërësi, si dhe veçmas 25 nenet e ligjit. BDI në prag të seancës ka filluar “roje për gjuhën” me prezencë 24 orëshe para Gjykatës Kushtetuese ku thonë se qëndrojnë në “mbrojtje të Ligjit për gjuhët”.
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova u tha liderëve partiakë që të përmbahen nga komentet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për gjuhët, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski në një porosi për qytetarët tha që të mos bien pre e provokimeve të BDI-së, që siç tha ai, “sillen si brejtës politikë”.
Aktivistë të BDI-së më 8 dhjetor janë mbledhur para Kushtetueses që siç ka bërë të ditur zyrtari i partisë Arbër Ademi, do të qëndrojnë deri sot kur do të mbahet seanca për Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ademi ka thënë se me iniciativën “Roja e gjuhës”, me prezencë 24 orëshe para Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në “mbrojtje të Ligjit për gjuhët”.
"Jemi mbledhur këtu për të ngritur zërin tonë për çështjet që prekin themelet e barazisë së shtetit tonë multietnik. Kjo nuk është një ditë e zakonshme, as thirrje e zakonshme. Sot më shumë se kurrë është koha për të qëndruar të bashkuar për të mbrojtur atë që kemi fituar me aq shumë përpjekje dhe sakrificë. Më 11 dhjetor, Gjykata Kushtetuese ka caktuar seancën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për gjuhët i cili nuk është vetëm akt juridik, por edhe simbol i Marrëveshjes së Ohrit dhe në të bazohet barazia gjuhësore", ka thënë Ademi.
Ndërkohë, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti në tubimin para Gjykatës Kushtetuese kërkoi nga Gjykata që të hedh poshtë 13 iniciativat e iniciuara për kontestimin e dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Asnjëherë nuk kemi kontestuar, as gjuhën e bashkëqytetarëve, as historinë e bashkëqytetarëve, prandaj mos i prekni në palcë shqiptarët, sepse edhe durimi ka një fund. Kështu që larg duart nga ndryshimi i ligjit të gjuhës, po të ishit politikanë të mirë dhe me vizion, do ta avanconit këtë gjuhë, por jo edhe ta cungoni”, deklaroi Ahmeti.
Presidentja Gordana Siljanovska - Davkova porositi liderët partiakë që të përmbahen nga komentet para vendimit të Gjykatës kushtetuese lidhur me Ligjin për gjuhët.
"Vendimet e Gjykatës janë përfundimtare dhe ekzekutive dhe liderët e partive dhe politikanët duhet të përmbahen nga komentet. Më së paku që mund të bëjnë është të lënë që Gjykata Kushtetuese të punojë në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren", tha Siljanovska, si koment të deklaratave të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti në prag të vendimit të Gjykatës kushtetuese për Ligjin për gjuhët.
BDI-ja saktë e di si funksionon Gjykata Kushtetuese dhe sot nuk do të ndodhë asgjë, por qëllimi i tyre është të dalin para opinionit edhe si politikan të tregojnë se për shkak të presionit të tyre politik është shtyrë vendimi për Ligjin për gjuhët, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
"Unë para disa ditëve në një konferencë të tillë për mediat, mendoj se ishte para dy ditësh, thash se këta njerëz të BDI-së e kanë shumë të qartë se si funksionon Gjykata Kushtetuese, sepse ata i kanë zgjedhur gjyqtarët atje dhe askush nuk mund të jetë gjyqtar kushtetues apo ndonjë gjyqtar atje, nëse nuk kaloni filtrin e BDI-së. Ata saktë e dinë se për të arritur një zgjidhje përfundimtare, cilado qoftë ajo, së pari duhet të raportojë gjyqtari përgjegjës për këtë çështje, t'u shpjegojë kolegëve të tij, pastaj do të ketë një diskutim publik, pastaj një debat publik, pastaj një seancë përgatitore, që të jetë një proces që do të zgjasë me muaj, ndoshta edhe vite. Cili ishte qëllimi i tyre? Qëllimi i tyre është se si brejtësit politikë, të presin dhe të shohin se tani e dimë se si shkojnë procedurat, ne do të bëjmë presion politik dhe nesër kur të mos ndodhë asgjë, do të dalin në publik, normalisht vetëm brejtësit politikë mund ta bëjnë këtë, të dalin dhe të thonë - për shkak të presionit tonë, e gjithë kjo është shtyrë. Punët nuk funksionojnë kështu, ndërsa ata e kanë të qartë se si funksionojnë gjerat", tha Mickoski në pyetjen e gazetarëve se sa janë të besueshme deklaratat se nesër nuk do të ketë fare vendim për heqjen eventuale të përdorimit të shqipes si gjuhë zyrtare.
Ai, në të njëjtën kohë, dërgoi mesazh për qetësi për të gjithë qytetarët dhe të mos lejojnë të keqpërdoren.
"Shqiptarët le të rrinë të qetë. Gjuha shqipe do të mbrohet. Truket e BDI-së për t’u paraqitur në mënyrë të rremë si shpëtimtarë të problemeve të vetëshkaktuara nuk kalojnë. Ata morën karton të verdhë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, tani është koha për kartonin e kuq", ka thënë madje, Saranda Imeri- Stafaj nga koalicioni VLEN.
Kjo parti, siç thonë nga VLEN (duke aluduar në BDI-në), së pari miratoi Ligj për gjuhët me anomali. Së dyti e dërguan ligjin në Komisionin e Venecias i cili e kontestoi ligjshmërinë e tri neneve kyçe. Së treti, pasi kuptuan që do të jenë në opozitë, përmes instalimeve në Gjykatën Kushtetuese dëshiruan të shkaktojnë tensione ndëretnike për të shmangur përgjegjësinë për ish funksionarët e tyre të korruptuar.
Duhet ta lëmë Gjykatën Kushtetuese që ta kryejë punën sipas kompetencave të saj, tha deputetja e LSDM-së, Jovanka Trençevska, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për zhvillimet e fundit në lidhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili është një nga pikat e rendit të ditës sot në seancën e Gjykatës Kushtetuese, që sërish ka shkaktuar reagime nga BDI.
"LSDM-ja me kujdes e ndjek gjendjen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe seancën e caktuar më 11 dhjetor të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese si organ duhet ta mbrojë kushtetutshmërinë e ligjeve, të të gjitha rregulloreve dhe nga ky aspekt ashpër e dënojmë politizimin e një çështjeje të tillë dhe besojmë se Gjykata Kushtetuese duhet ta kryejë punën sipas kompetencave të tyre", theksoi Trençevska.
Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë Arben Fetai në konferencën “Miqtë e Evropës” në Bruksel tha se gjyqtarët jashtë komuniteteve shumicë në Maqedoninë e Veriut nuk do të marrin pjesë në seancën e Gjykatës Kushtetuese, ku duhet të diskutohet kushtetutshmëria e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Sipas tij, në Maqedoninë e Veriut disa nga ligjet miratohen sipas parimit të shumicës së dyfishtë të Badenterit, por sipas vlerësimit të tij, Gjykata Kushtetuese disa herë e ka vënë veten në rolin e vendimmarrjes për çështje politike dhe ka fuqi të rrëzojë ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski në një intervistë për MIA-n ka thënë se me Ligjin për gjuhët, politika ka krijuar një lloj kaosi juridik i cili rezulton me kaos politik, mosbesim dhe dilema.
"Opinioni e ka parë tashmë raportin e Komisionit të Venecias. Gjykata Kushtetuese e ka fjalën për të marrë një vendim të argumentuar kushtetuto-ligjore dhe të arsyeshme. Çfarë mund të vendoset, nuk e di dhe nuk mund ta di dhe nuk do të komentoj", ka thënë Kostadinovski.
Lënda e Ligjit për gjuhët përbëhet nga 13 iniciativa nga qytetarë, parti politike, shoqata të ndryshme, ndërsa është formuar në vitin 2019 dhe është aktualizuar këtë vjeshtë pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.
Foto: arkivi i MIA-s