• e hënë, 23 dhjetor 2024

Gjykata evropiane e drejtësisë: Autoritetet nuk mund që në mënyrë joselektive të ruajnë të dhënat biometrike të personave të dënuar deri në vdekjen e tyre

Gjykata evropiane e drejtësisë: Autoritetet nuk mund që në mënyrë joselektive të ruajnë të dhënat biometrike të personave të dënuar deri në vdekjen e tyre

Bruksel, 31 janar 2024 (MIA) - Institucionet përgjegjëse për zbatimin e ligjit nuk mund që në mënyrë joselektive t'i ruajnë të dhënat biometrike dhe gjenetike të personave që kanë kryer vepra penale deri në vdekje, ka vendosur Gjykata e drejtësisë së BE-së.

Të dhënat biometrike të marra me shenjat e gishtërinjve, përmes sistemeve të njohjes së fytyrës ose skanimit, përfaqësojnë informacione personale që përdoren për të identifikuar individin dhe mund të jenë pjesë e procesit të verifikimit të identitetit të tij digjital.

Nga ana tjetër, të dhënat gjenetike janë informacione rreth karakteristikave gjenetike të një personi, si gjinia, raca, gjatësia ose pesha dhe më konkretisht mundë të tregojnë shëndetin psikologjik ose fizik të individit.

Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, në vendet anëtare të BE-së, polica mbledh këto të dhëna nga persona që kanë kryer krime dhe mund t'i ruajë deri në vdekje, por Gjykata evropiane e drejtësisë tani ka vlerësuar se kjo praktikë është në kundërshtim me ligjin e Unionit. 

Aktgjykimi është sjellë në bazë të padisë nga një person nga Bullgaria i akuzuar për dëshmi të rreme ose jo të plotë gjatë procesit gjyqësor në cilësinë e dëshmitarit ku është dënuar me burgim me kusht prej një viti. Sipas procedurës, si person që ka kryer vepër penale i janë marrë të dhëna biometrike dhe gjenetike.

Personi ka ankimuar këtë vendim në Gjykatën e lartë administrative të Bullgarisë e cila nga ana e saj e dërgon çështjen në Gjykatën e drejtësisë së BE-së.

Pas kërkesës, Gjykata e drejtësisë vendosi që në këtë rast të dhënat e marra në procesverbalet e policisë bullgare, ku përfshihen shenjat e gishtërinjve, fotografia, mostra e ADN-së dhe pretendimet për krimin, nuk duhet të mbahen deri në vdekjen e personit, sepse nuk bëhet fjalë për akt me nivel të lartë rreziku.

Asistenti për mbrojtjen e të dhënave dhe sigurinë kibernetike në Universitetin e Tilburgut, Lorenco Dalla Korte konsideron se një vendim i tillë është i mirëpritur dhe nuk paraqet befasi.

Sipas tij, nëse të dhënat e telekomunikacionit dhe të dhënat e emrave të pasagjerëve fshihen pas një periudhe të caktuar, është logjike që i njëjti parim të vlejë edhe për të dhënat biometrike dhe gjenetike. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR