• e hënë, 23 dhjetor 2024

Gjykatësit Limani dhe Kambovski janë dy anëtarët e rinj të Këshillit Gjyqësor

Gjykatësit Limani dhe Kambovski janë dy anëtarët e rinj të Këshillit Gjyqësor

Shkup, 6 qershor 2024 (MIA) - Gjykatësi nga Gjykata Supreme Isamedin Limani dhe gjykatësi nga Gjykata e Apelit Manastir, Aleksandar Kambovski, janë dy anëtarët e rinj të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut. 

Komisioni për zgjedhje i grumbulloi rezultatet nga votimi i sotëm për zgjedhje të dy anëtarëve të Këshillit, një nga gjykatësit supremë dhe një nga rajoni i apelit Manastir. Votimi filloi në orën 8 dhe zgjati pandërprerë deri në orën 15, ndërsa u zhvillua në gjithsej shtatë vendvotime, ku gjykatësit votuan për kandidatët nga zonat e tyre të apelit. 

Në fletën e votimit nga radhët e gjykatësve supremë ishin Cvetanka Periq dhe Isamedin Limani, për të cilët votuan 11 nga gjithsej 15 votues të regjistruar. Komisioni për zgjedhje informoi se për gjykatësin Isamedin Limani votuan shtatë gjykatës, përderisa për gjykatësen Cvetanka Periq dy gjykatës. Sipas rezultateve, dy fletë votimi ishin të pavlefshme, ndërsa katër fletë votimi ishin pa përdorur. 

Këshilli Gjyqësor nuk e lejoi gjykatësen Cvetanka Periq të tërhiqet nga zgjedhjet, edhe pse ajo njoftoi se tërhiqet nga gara në zgjedhje për shkaqe shëndetësore. 

Nga zona e Apelit Manastir, kandidatë për anëtarë të Këshillit ishin gjykatësit e Gjykatës së Apelit Manastir, Aleksandar Kambovski dhe Tatjana Susuleska, si dhe gjykatësja e Gjykatës Themelore të Ohrit, Aleksandra Pop Stefanija. Sipas rezultateve të shpallura nga Komisioni, Kambovski u zgjodh anëtar i Këshillit Gjyqësor me gjithsej 28 vota të fituara, 10 votues votuan për kundër kandidaten e tij Susuleska, ndërsa tre votues për Pop Stefania. Të drejtën e votës nga zona e Apelit Manastir e kanë shfrytëzuar 42 gjykatës nga gjithsej 43 të regjistruar. Sipas rezultateve, një fletë votimi ishte e pavlefshme, si dhe një e papërdorur.

Komisioni për zgjedhje informoi se deri në mesnatë zgjat afati për parashtrimin e ankesave nga ana e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor.

Në bazë të Ligjit për Këshillin Gjyqësor anëtarët e Këshillit nga radhët e gjykatësve kanë mandat prej gjashtë viteve, me të drejtë të zgjedhjes edhe një herë pas kalimit të paktën gjashtë vjetëve nga ndërprerja e mandatit paraprak në Këshillin Gjyqësor. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR