• e hënë, 30 shtator 2024

Gjithnjë e më e sigurt është një ofensivë tokësore izraelite ndaj Libanit

Gjithnjë e më e sigurt është një ofensivë tokësore izraelite ndaj Libanit

Shkup, 30 shtator 2024 (MIA) - Një pjesë e mediave perëndimore njoftuan se Izraeli po vendos tanke në kufirin me Libanin, që me shumë gjasa është përgatitje për një pushtim të mundshëm tokësor.

Gazeta amerikane "Njuzvik" (Newsweek) publikoi se operacionet e komandove izraelite në pjesën jugore të Libanit kundër Hezbollahut janë pjesë e përgatitjeve për një pushtim të mundshëm tokësor, i cili mund të ndodhë gjatë javës.

Një zyrtar izraelit i paidentifikuar konfirmoi për gazetën britanike "Telegraf" se trupat elitë janë të fokusuar në infrastrukturën e Hezbollahut, duke përfshirë lokacionete armëve dhe qendrat e komandës dhe kontrollit.

Ushtria izraelite kumtoi se ka mobilizuar edhe tre batalione rezervistë, ndërsa dy brigada tashmë janë dërguar në veri të Izraelit në përgatitje për një operacion të mundshëm tokësor.

Ndërsa "Vollstrit zhurnall" (Wall Street Journal) publikoi se forcat speciale izraelite kanë kaluar kufirin me Libanin dhe po dërgojnë trupa në tunelet e Hezbollahut. Edhe gazeta amerikane pretendon se kjo i paraprin një ofensive të mundshme të madhe tokësore.

Mediat izraelite njoftuan se sulmet në Liban jo vetëm që do të vazhdojnë, por IDF po përgatitet gjithashtu për një operacion tokësor. Një burim i paidentifikuar i sigurisë deklaroi se megjithëse ende nuk është marrë një vendim politik, IDF po përfundonte "operacione të rëndësishme" në përgatitje për një pushtim tokësor të Libanit jugor.

Qëllimi i manovrave tokësore është shkatërrimi i objektivave, por edhe projektimi i fuqisë së Izraelit dhe IDF në Lindjen e Afërt, veçanërisht mbi Hezbollahun, theksoi ai.

Sipas vlerësimit të Izraelit rrjeti i tuneleve të Hezbollahut është disa qindra kilometra i gjatë. Hezbollahu besohet se po përdor tunelet për të hyrë në Izrael, megjithëse disa prej tyre u shkatërruan në vitin 2019 nga ushtria izraelite.

Gjaë sulmeve në pjesën jugore të Liban sot në mëngjes është eliminuar lideri i Hamasit, Fateh Sherif Abu el Amin. Në sulmin në kampin e refugjatëve në Tir kanë vdekur edhe gruaja, vajza dhe djali i Amin. 

IDF, për herë të parë që nga lufta e vitit 2006 ka kryer sulm në qendrën e Bejrutit. Në sulmet e sotme kanë vdekur tre anëtare të grupit militant palestinez Fronti popullor për çlirimin e Palestinës (PFLP).

Forcat Ajrore izraelite kanë sulmuar intensivisht objektivat e Hezbollahut në zona të ndryshme të Libanit që nga java e kaluar. Në sulmin ajror në Bejrut kanë vdekur disa komandantë të lartë të Hezbollahut, duke përfshirë liderin Sajed Nasralla. 

Hezbollahu u përgjigj me sulme me raketa që synonin kryesisht Izraelin verior. ls/

Foto: EPA 

 

QËNDRONI TË LIDHUR