Gerapetritis pas takimit me Rubion: Mbështetja e SHBA-së është e nevojshme
- Lidhur me Ukrainën, tregova se Evropa mbetet e përkushtuar ndaj një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme për popullin ukrainas. Dhe pavarësisht nga konfrontimi publik, Evropa mbetet e përkushtuar për të përmirësuar infrastrukturën e saj të mbrojtjes. Por, mbështetja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e nevojshme, tha ministri i Jashtëm i Greqisë, Jorgos Gerapetritis, pas takimit me sekretarin amerikan të shtetit Marko Rubio në Uashington, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
- Post By Sara Ademi
- 12:15, 1 mars, 2025

Athinë, 1 mars 2025 (MIA) - Lidhur me Ukrainën, tregova se Evropa mbetet e përkushtuar ndaj një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme për popullin ukrainas. Dhe pavarësisht nga konfrontimi publik, Evropa mbetet e përkushtuar për të përmirësuar infrastrukturën e saj të mbrojtjes. Por, mbështetja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e nevojshme, tha ministri i Jashtëm i Greqisë, Jorgos Gerapetritis, pas takimit me sekretarin amerikan të shtetit Marko Rubio në Uashington, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Ministri i Jashtëm grek dhe sekretari amerikan i shtetit u takuan vetëm disa orë pas takimit mes presidentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainës, Donald Tramp dhe Volodimir Zelenski.
Në një deklaratë për televizionin shtetëror ERT dhe korrespondentët grekë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gerapetritis theksoi se ata patën një diskutim të gjerë dhe kaluan rreth 45 minuta duke folur "për të gjitha çështjet që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin rajonal dhe mjedisin ndërkombëtar", si dhe diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, situatën në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.
Lidhur me Lindjen e Mesme, ministri i Jashtëm grek tha se duhet gjetur një zgjidhje që do të sigurojë paqen dhe prosperitetin në rajon, do të garantojë sigurinë e Izraelit, por edhe të ardhmen e popullit palestinez dhe do të lejojë që rajoni më i gjerë të hyjë përfundimisht në një gjendje paqeje të qëndrueshme.
Gerapetritis dhe Rubio diskutuan gjithashtu për marrëdhëniet strategjike mes dy vendeve dhe siç tha ministri grek, mundësitë për zhvillim të mëtejshëm në ekonomi, turizëm, tregti, energji, si dhe marrëdhëniet mes njerëzve.
"Greqia, si anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në qendër të ngjarjeve ndërkombëtare, është në gjendje të lërë një gjurmë të fortë diplomatike. Greqia flet me të gjithë. Ajo përfaqëson një urë midis Lindjes dhe Perëndimit, Veriut dhe Jugut. Dhe presim bashkëpunim shtesë me qeverinë amerikane, në mënyrë që nga njëra anë marrëdhëniet tona dypalëshe të përmirësohen ndjeshëm edhe më tej dhe nga ana tjetër të kontribuojmë së bashku në konsolidimin e paqes rajonale dhe ndërkombëtare", theksoi Gerapetritis.
Sekretari amerikan i Shtetit shkroi në platformën Iks se ai dhe ministri i Jashtëm grek diskutuan se çfarë mund të arrijnë së bashku si partnerë, aleatë në NATO dhe gjatë mandatit të Greqisë në Këshillin e Sigurimit të KB-së.
"Ne diskutuam gjithashtu lidershipin e sigurisë dhe energjisë së Greqisë në Mesdheun Lindor dhe perspektivat për bashkëpunim në të ardhmen," shkroi Rubio në Iks. sa/
Foto: Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë