• e hënë, 23 dhjetor 2024

Gashi-Erdoan: Avancim i bashkëpunimit mes Maqedoniusë së Veriut dhe Turqisë

Gashi-Erdoan: Avancim i bashkëpunimit mes Maqedoniusë së Veriut dhe Turqisë

Shkup, 2 tetor 2024 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot në Ankara ka realizuar takim me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdoan, ku janë shkëmbyer opinione për avancimin e bashkëpunimit mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë, për situatën në të dy vendet dhe për zhvillimet aktuale në rajon dhe më gjerë.

Në takim, siç njofton shërbimi për shtyp i Kuvendit, ishin të pranishëm kryetari i Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, Numan Kurtulsush, si dhe kryetarët e grupeve parlamentare për bashkëpunim dhe miqësi nga të dy kuvendet, deputetët Bejxhan Iljaz dhe Ahmet Këllëç.

Gashi realizoi takim kokë më kokë me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, pas së cilës është mbajtur edhe takim i përbashkët me anëtarët e delegacionit.

Gashi theksoi se takimi paraqet një mundësi që të dy vendet ta përforcojnë bashkëpunimin shumëvjeçar aktiv dhe të suksesshëm. Ai vlerësoi se vizita e fundit e ministrit Fidan në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe vizita e tij në Turqi, janë konfirmim për nivelin e lartë të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve tradicionalisht mike dhe aleatë të NATO-s.

Gashi ka theksuar se si shtet e vlerësojmë shumë bashkëpunimin e suksesshëm me Republikën e Turqisë në të gjitha fushat dhe shprehu mirënjohjen e tij për Turqinë, e cila që nga fillimi ka qenë mbështetëse parimore e anëtarësimit tonë në NATO.

Ministri Hakan Fidan, siç thuhet në komunikatë, e ka konfirmuar mbështetjen pa rezervë të Turqisë për Maqedoninë e Veriut në të gjitha fushat dhe është përqendruar në nevojën për intensifikim të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, duke e rikonfirmuar përkushtimin për rritjen e shkëmbimit tregtar mes dy vendeve.

Në takim është theksuar rëndësia e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe diplomacisë parlamentare për marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe, në drejtim të progresit të dialogut politik dhe rritjes së dinamikës të bashkëpunimit të përgjithshëm ndërmjet dy vendeve.

Delegacioni parlamentar ka pasur takim edhe me Eroll Ozvar, kryetar i Këshillit për arsimin e lartë të Turqisë.

Në takim, siç thuhet në komunikatë, delegacioni parlamentar është njoftuar për aktivitetet e këtij organi në drejtim të planifikimit strategjik të arsimit të lartë, koordinimit ndërmjet universiteteve dhe krijimit dhe mirëmbajtjes së mekanizmave për sigurimin e arsimit të lartë cilësor. Është diskutuar edhe për mundësitë për përmirësimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e arsimit të lartë.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga sot deri më 5 tetor qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë, me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, Numan Kurtulmush.

Në delegacionin parlamentar të udhëhequr nga Gashi janë edhe deputetët Bejxhan Iljas, kryetarii Grupit parlamentar për bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Turqisë, Nikolla Micevski, Oliver Spasovski, Merita Kolçi Koxhaxhiku dhe Bekim Sali. mb/

Foto: Kuvendi i RMV-së

QËNDRONI TË LIDHUR