Gashi u takua me presidentin e Azerbajxhanit, Aliev: Është i përbashkët angazhimi për partneritet të fuqishëm, sidomos në pjesën e energjetikës
- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot u takua me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliev, me ç'rast u konfirmuan marrëdhëniet tradicionalisht miqësore ndërmjet dy vendeve dhe u theksua nevoja për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë.
Baku, 17 qershor 2025 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot u takua me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliev, me ç'rast u konfirmuan marrëdhëniet tradicionalisht miqësore ndërmjet dy vendeve dhe u theksua nevoja për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë.
Vizitën zyrtare, Gashi e realizoi me ftesë të kryetares së Asamblesë Nacionale të Republikës së Azerbajxhan-it, Sahiba Gafarova, ndërsa Delegacioni përbëhet nga deputeti Petar Markov, i cili është edhe kryetar i Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Azerbajxhan-it; deputetja Imrlije Saliu Fetai, anëtare e grupit; si dhe Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska.
Kjo është vizita e parë zyrtare dypalëshe e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Republikën e Azerbajxhan-it, e cila është tregues i interesit të ndërsjellë për promovimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe ndërtimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.

Në takimin me Presidentin Aliev, Gashi theksoi se ne si shtet, veçanërisht në këtë mandat, jemi të përkushtuar për zgjerimin e horizontit dhe forcimin e partneriteteve me vendet me të cilat, edhe pse nuk i përkasim të njëjtit rajon, kemi interes të përbashkët për bashkëpunim dhe për të ndërtuar ura miqësie.
Ai shtoi se ne nuk devijojmë nga rruga jonë e integrimit evropian, pavarësisht sfidave me të cilat përballemi, por jemi të vendosur të zgjerojmë partneritetet tona me vende si Azerbajxhani, me të cilat nuk kemi çështje të hapura dhe kemi interes të përbashkët për bashkëpunim.
Kryetari Gashi theksoi se kemi një përkushtim të përbashkët për forcimin e partneritetit në fushën e furnizimit me gaz, duke marrë parasysh resurset e Azerbajxhan-it dhe praninë e tyre në Ballkan dhe në disa nga vendet e Bashkimit Evropian.

Presidenti Aliev vuri në dukje se Republika e Azerbajxhanit tashmë është duke punuar për mundësitë e sigurimit të bashkëpunimit afatgjatë ndërmjet dy vendeve në fushën e furnizimit me gaz, duke theksuar se përveç bashkëpunimit në sektorin e energjisë, është e nevojshme të konsiderohet edhe rritja e shkëmbimit tregtar dhe bashkëpunimit në fushën e transportit.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se të dy vendet, përveç bashkëpunimit në fushën e transportit, tregtisë dhe ekonomisë, mund të fokusohen edhe në bashkëpunimin në kulturë dhe turizëm, pasi të dyja vendet kanë diçka për të ofruar dhe kjo mund të kontribuojë në afrimin e popujve. mb/
Foto: Kabineti i kryetarit Gashi