Gashi: Shumica parlamentare është stabile, por mund të rritet
- Shumica parlamentare është stabile, por mund të rritet dhe të jetë mbi 70 deputetë, tha sot kryetari i Kuvendit Afrim Gashi në konferencën për shtyp me rastin e një vjetorit të kësaj përbërje parlamentare. Pastrohet skena, shtoi ai, dhe dihet se si do të vazhdojë me punë Kuvendi.
- Post By Sara Ademi
- 16:39, 28 maj, 2025
Shkup, 28 maj 2025 (MIA) - Shumica parlamentare është stabile, por mund të rritet dhe të jetë mbi 70 deputetë, tha sot kryetari i Kuvendit Afrim Gashi në konferencën për shtyp me rastin e një vjetorit të kësaj përbërje parlamentare. Pastrohet skena, shtoi ai, dhe dihet se si do të vazhdojë me punë Kuvendi.
"Është e mundur të rritet. Flasim për mbi 70 deputetë...Në këtë situatë flasim për rreth dy të tretat në Kuvend", tha Gashi, duke theksuar se për ta është më e rëndësishme që një numër më i madh i deputetëve t'i bashkohen angazhimit të sinqertë për ngritjen e standardit jetësor.
Gashi tha se Kuvendi do ta ratifikojë marrëveshjen për partneritet strategjik me Britaninë e Madhe që nënkupton investime prej gjashtë miliardë me projekte konkrete.
"Në horizont është një vit i suksesshëm, i cili presim të ndikojë tek të gjithë qytetarët", tha Gashi.
Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, ai ritheksoi qëndrimin se nevojitet parashikueshmëria e procesit për të siguruar që ai të mos jetë i dyanshëm. Gashi tha se në të gjitha takimet jashtë vendit dhe me përfaqësues të huaj kërkohet mbështetje që të mos ketë më bllokim të fillimit të negociatave tona me BE-në.
Kryetari i Kuvendit në konferencën për shtyp paralajmëroi një ligj për shpalljen e zonës së sigurisë rreth Kuvendit, drafti i të cilit në mbledhjen e fundit iu shpërnda koordinatorëve të grupeve parlamentare. "Kuvendi duhet të ketë oborrin e tij dhe parkingun e tij", tha Gashi, duke sqaruar se toka rreth ndërtesës së Kuvendit, e cila ishte pronë private, me ligj mund të blihet dhe të bëhet pronë shtetërore. Ai nuk ka thënë se sa para do të nevojiten për këtë qëllim dhe nëse do të mbulohen nga buxheti i Kuvendit apo jo.
Në lidhje me ligjin për përfaqësim të drejtë, Gashi tha se ende është në përgatitje.
Prioritet i tij, si kryetar i Kuvendit në vitin e kaluar, ka qenë ushtrimi i funksionit legjislativ, përmes thirrjeve të rregullta të seancave, vendosja e praktikave të drejta dhe të barabarta, përfshirë parandalimin e keqpërdorimit të flamurit të BE-së, si dhe koordinimi dhe zhvillimi i një dialogu konstruktiv me deputetët dhe aktorët institucionalë për arritjen e konsensusit në vendimmarrje.
"Kuvendi si shtëpi për të gjithë nuk është vetëm një slogan, por një angazhim real me hapa konkretë", tha Gashi.
Me rastin e një viti të kësaj përbërje parlamentare, Kabineti i kryetarit ka përgatitur një raport që mund të shihet në ueb faqen e Kuvendit. sa/
FOTO: MIA