Gashi: Pashkët na përkujtojnë se respekti i ndërsjelltë, solidariteti dhe mirësia janë thelbësore për përparimin e çdo shoqërie
- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Afrim Gashi u dërgoi urim qytetarëve të besimit të krishterë, me rastin e Pashkëve.
- Post By Arta Bunjaku
- 11:51, 20 prill, 2025

Shkup, 20 prill 2025 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Afrim Gashi u dërgoi urim qytetarëve të besimit të krishterë, me rastin e Pashkëve.
"Të nderuar qytetarë të besimit të krishterë, të nderuar miq, në këto ditë të ndritshme gëzimi dhe ringjalljeje shpirtërore, më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut t’Jua uroj festat e Pashkëve. Mesazhi i pashkëve është një mesazh shprese dhe ripërtëritjeje. Kjo festë e rëndësishme është një mundësi për t’u kujtuar sërish se vlerat e përbashkëta si respekti i ndërsjellë, solidariteti dhe mirësia njerëzore janë thelbësore për përparimin e çdo shoqërie", thuhet në urimin e Gashit.
Si qytetarë të atdheut tonë të përbashkët, detyra jonë është që së bashku të ndërtojmë ura mirëkuptimi, harmonie dhe paqeje, që do të jenë themel i fortë për një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë.
"Uroj që këto ditë të Pashkëve të jenë të mbushura me gëzim familjar, lumturi personale dhe qetësi të përbashkët, duke na nxitur të përballemi me të gjitha sfidat përmes shembujve pozitivë dhe mbështetjes së ndërsjellë. Miq të dashur, të gjithëve ju uroj paqe, shëndet dhe mirëqenie dhe që Pashkët t’i kaloni në ngrohtësi dhe dashuri me të dashurit tuaj. Gëzuar Pashkët!", qëndron në urimin e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.
Foto: МIА Arkivi