• e enjte, 30 janar 2025

Gashi - Palminteri: Thellimi i bashkëpunmit në të gjitha nivelet, me theks në diplomacinë parlamentare

Gashi - Palminteri: Thellimi i bashkëpunmit në të gjitha nivelet, me theks në diplomacinë parlamentare

Shkup, 29 janar 2025 (MIA) - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot realizoi takim me ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Italisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Paolo Palminteri.

Gashi, siç njofton pres shërbimi i Kuvendit, e uroi ambasadorin Palminteri për funksionin e ri ambasador dhe i uroi mandat të suksesshëm, duke theksuar se dy vendet vitin e kaluar shënuan 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, të cilat karakterizohen si marrëdhënie tradicionalisht të mira dhe miqësore, me dialog aktiv politik dhe bashkëpunim dinamik. Ai nënvizoi se ato janë duke u përmirësuar dhe thelluar vazhdimisht si në planin bilateral, ashtu edhe në atë multilateral.

Kryetari i Kuvendit u përqëndrua edhe në dy rezolutat, me të cilat Parlamenti i Italisë “e detyron Qeverinë e Italisë që të riafirmojë dhe mbështesë iniciativat për integrimin e Ballkanit Perëndimor në institucionet euroatlantike, në të gjitha nivelet” të miratuara nga Dhoma e Deputetëve e Republikës së Italisë në vitin 2021.

Ambasadori Palminteri e njoftoi Kryetarin Gashi për zhvillimet aktuale në Republikën e Italisë. Ambasadori Palminteri nënvizoi se në fokus të mandatit të tij do të jetë thellimi i bashkëpunimit bilateral në të gjitha nivelet, duke përcjellë mbështetjen e Republikës së Italisë për integrimin evropian të vendit tonë dhe bashkëpunimin ekonomik.

Bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve në të gjitha nivelet, me theks të veçantë në diplomacinë parlamentare. bsh/

Foto: Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut

QËNDRONI TË LIDHUR