• e hënë, 23 dhjetor 2024

Gashi: Nuk është shkelur Marrëveshja kornizë

Gashi: Nuk është shkelur Marrëveshja kornizë

Shkup, 2 qershor 2024 (MIA) - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi duke iu përgjigjur pyetjes për ruajtjen e Marrëveshjes kornizë të Ohrit dhe vërejtjet se ai u bë personi i parë i legjislativit me më pak vota nga Fronti Evropian, thotë se “personi që e njeh Marrëveshjen kornizë dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut e ka të qartë se kjo nuk është fare pjesë e Marrëveshjes kornizë”.

"Ndoshta ai ka harruar, ajo ka qenë 'Marrëveshja e majit' që e ka nënshkruar me Nikolla Gruevskin dhe që vetë e ka shkelur, por një marrëveshje e tillë asnjëherë nuk ka qenë pjesë e kushtetutës dhe nuk është bërë dhe nuk mund të ketë një marrëveshje të tillë në Kushtetutë, sepse ajo bie ndesh me çdo të drejtë demokratike. Qeveria bëhet me 61 deputetë, me shumicë, ndërsa në anën tjetër koalicioni shqiptar VLEN ka marrë 107 mijë vota me çka plotësisht bart legjitimitetin e shqiptarëve në këtë Kuvend", ka thënë Gashi në intervistën për Radion Evropa e Lirë (REL).

Gashi thotë se deputetët e koalicionit VLEN do të angazhohen për integrimin sa më të shpejtë të vendit në Bashkimin Evropian, por, shton se kjo është një çështje komplekse dhe siç thotë, “do të punojmë të gjithë së bashku që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundshme.

Sa i përket asaj se kur do të caktohet seanca e parë parlamentare, thotë se seancat plenare do të caktohen në koordinim me të gjitha partitë politike.

“Ne kishim dje një takim joformal me përfaqësues të partive politike, presim të formalizohen grupet parlamentare dhe koordinatorët dhe sapo të kemi pëlqimin e shumicës së partive politike, do të fillojmë të thërrasim seancë të re”, tha Gashi.

Si koalicion që tashmë është në horizont mes VMRO DPMNE-së, VLEN dhe ZNAM, thotë se është rënë dakord që qeveria e re të fillojë me një organizim të ri të shtetit, organizim të ministrive dhe dikastereve.

"Duam së pari ta miratojmë atë ligj, që qeveria që do të zgjidhet të zgjidhet në kuadër të atij ligji dhe atij organizimi të ri. Prandaj dëshirojmë dhe do të bëjmë përpjekje që së bashku me të gjitha partitë politike në Kuvend të pajtohemi që ky ligj të jetë ndër të parët që do të vendoset në seancë plenare", thotë Gashi.

Konfirmon se në atë pako do të futen edhe ndryshime të ligjeve që të parandalohet të ketë zgjedhje të parakohshme për kryetarët e komunave atje ku ata janë bërë deputetë.

 

QËNDRONI TË LIDHUR