Gashi: Nuk është mirë si Kuvend të kryejmë interpelancë ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, do të kërkoj definimin e fjalës "bartës i funksionit publik"
- Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në brifingun javor me gazetarët theksoi se në koordinimin e sotëm me koordinatorët e grupeve parlamentare ka mbizotëruar perceptimi se nuk është mirë që Kuvendi të kryejë interpelancë ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Këtë e theksoi Gashi në lidhje me interpelancën për punën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinoski, e cila është vendosur në rend dite të seancës së 59-të të Kuvendit, e caktuar për 9 korrik, dhe është paraqitur nga grupi parlamentar i Frontit Europian.
- Post By Qefsere Abduli
- 16:58, 7 korrik, 2025
Shkup, 7 korrik 2025 (MIA) - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në brifingun javor me gazetarët theksoi se në koordinimin e sotëm me koordinatorët e grupeve parlamentare ka mbizotëruar perceptimi se nuk është mirë që Kuvendi të kryejë interpelancë ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Këtë e theksoi Gashi në lidhje me interpelancën për punën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinoski, e cila është vendosur në rend dite të seancës së 59-të të Kuvendit, e caktuar për 9 korrik, dhe është paraqitur nga grupi parlamentar i Frontit Europian.
"U hap çështja për interpelancën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Ne e vendosëm këtë si pikë në rendin e ditës. Ka pasur diskutime nëse kemi vepruar drejtë, nëse është në rregull apo jo, që është normale. Dilema jonë dhe e imja, si Kuvend, si kabinet dhe si shërbim. Ne jemi udhëhequr sipas nenit 72 të Kushtetutës dhe 47 të Rregullores së Kuvendit ku thuhet "interpelanca mund të ngritet për çdo bartës të funksionit publik". Tani ne si Kuvend duhet ta procesojmë këtë. Nga ana tjetër flasim për pushtetin gjyqësor dhe kjo mbetet temë që do ta shohim. Ndoshta disa nga deputetët do të kërkojnë që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës. Kryesisht, në koordinim me koordinatorët e grupeve parlamentare mbizotëroi perceptimi se nuk është mirë që si Kuvend të bëjmë interpelancë ngaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Do të shohim si do të vendosë plenumi", tha Gashi.
Ai informoi se do të kërkojë nga Komisioni Kuvendor për Çështje të Rregullores dhe të Mandatit-Imunitetit të organizojë një seancë publike për definimin e fjalës "bartës i funksionit publik".
Gashi theksoi se parashtruesit e iniciativës për Konstandinovskin, gjegjësisht BDI-ja, nuk morën pjesë në koordinimin e sotëm të koordinatorëve të grupeve parlamentare. Ata kanë propozuar që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës.
Gashi njoftoi se Kuvendi i ka ndjekur të gjitha afatet dhe deri te Konstandinovski është dërguar interpelancë. Theksoi se ai ka pasur afat të përgjigjet, por nuk është përgjigjur. Potencoi se Konstandinovski ka treguar se nuk do të marrë pjesë në seancën plenare ku do të diskutohet për interpelancën e tij. Gashi tha se është e drejta e tij.

Deputeti i Frontit uvropian, Ilir Hasani, në konferencën për mediat shpjegoi se interpelanca është paraqitur për punën e Kostadinovskit në bazë të nenit 72, pika 1 dhe 2 të Kushtetutës. Sipas Hasanit, Kostadinovski ka shkelur qëllimisht Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe nenin 101 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.
"Dua të theksoj se kjo iniciativë nuk ka për qëllim të ushtrojë presion mbi Gjykatën Kushtetuese, për dallim nga interpelancat e mëparshme që ishin qartazi me natyrë politike, por ka ndikim social dhe mediatik. Qëllimi ynë është të nisim një debat institucional për funksionimin e këtij institucioni dhe rolin e kryetarit të saj në respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve ekzistuese" tha Hasani.
Sipas Hasanit, Kostandinovski ka paragjykime ndaj gjuhës shqipe.
"Në arsyet për interpelancën mund të përmendet një intervistë që është dhënë për agjencinë e lajmeve MIA në gusht të vitit 2024, ku ai theksoj "se politika që krijoi atë ligj krijoi një lloj kaosi të ligjshëm që rezultoi me kaos politik, mosbesim dhe dilemë. Është fakt se ligji po zbatohet dhe po krijon probleme me implementimin e tij". Kjo deklaratë ngre disa pyetje: Në bazë të cilit nen të Kushtetutës ose ligji konkret kryetari i Gjykatës Kushtetuese mund të karakterizojë një ligj si burim të kaosit politik dhe juridik, dhe nëse është në kompetencën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të përcaktojë problemet në zbatimin e ligjit dhe të parashikojë ndërhyrje legjislative? Deklarata të tilla i zvogëlojnë kufijtë e kompetencave të përcaktuara me ligj dhe krijojnë një seri dyshimesh për paanshmërinë e kryetarit të Gjykatës në raste që janë ende në fazën e shqyrtimit" tha Hasani.

Në reagimin e Gjykatës Kushtetuese atëherë përmes një komunikate, u theksua se Kostadinovski nuk do të komentojë asnjë deklaratë politike.
"Kushtetuta e RMV-së nuk parashikon mundësinë e shkarkimit të një gjykatësi kushtetues, as nga ana legjislative dhe as nga ana e ekzekutivit. Gjykata Kushtetuese, si organ i Republikës që mbron kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë, nuk i nënshtrohet parimit të ndarjes së pushtetit. Krijuesi i Kushtetutës e ka vendosur Gjykatën Kushtetuese mbi tre pushtetet, sepse ajo është kontrolluesi i procedurave, akteve dhe veprimeve të tyre. Pavarësia dhe autonomia e Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatësve kushtetues kanë garancinë më të fortë kushtetuese.Kushtetuta nuk i lejon Kuvendit që me aktet ligjore të ndikojë në kompetencat, mënyrën e zgjedhjes dhe të mbarimit të mandatit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kompetenca e Kuvendit përfundon në momentin e zgjedhjes së gjykatësve", thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s/Kuvendi