Gashi: Mendimet dhe lutjet tona janë me të gjithë të prekurit nga tragjedia në Koçan, të bashkohemi të gjithë në këtë moment tragjik
- - Me rastin e tragjedisë me zjarr në një diskotekë në Koçan, i cili tronditi fuqishëm mbarë vendin dhe rajonin, Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka dërguar një telegram ngushëllimi për familjet e viktimave.
- Post By Fitore Curri
- 15:47, 16 mars, 2025

Shkup, 16 mars 2025 (MIA) - Me rastin e tragjedisë me zjarr në një diskotekë në Koçan, i cili tronditi fuqishëm mbarë vendin dhe rajonin, Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka dërguar një telegram ngushëllimi për familjet e viktimave.
“Me mosbesim dhe pikëllimin më të thellë mora lajmin për tragjedinë e rëndë në Koçan, ku më shumë se 50 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u lënduan nga zjarri në një lokal nate. Në emrin tim dhe në emër të Kuvendit të RMV-së u shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave. Mendimet dhe lutjet tona janë me të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të Gashit.
Kryetari i Kuvendit vizitoi edhe klinikën “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup, ku janë shtruar disa nga të lënduarit në këtë fatkeqësi. Ai shprehu ngushëllimet më të thella për familjet e të ndjerëve dhe të lënduarve. Ai porositi që në këtë moment tragjik, të bashkuar duhet të bëjmë gjithçka që mundemi si shtet, si institucione dhe t’u ndihmojmë familjeve.
Gjatë vizitës së tij në spital, Gashi ka inkurajuar të lënduarit dhe ka falënderuar për përpjekjet e drejtorit të Klinikës, të gjithë mjekëve dhe gjithë stafit mjekësor, të cilët në këtë ditë të vështirë po e kryejnë punën e tyre në mënyrën më profesionale. Ai gjithashtu u ka bërë thirrje organeve kompetente që të angazhohen për hetim të plotë të rastit. fc/
Fotografia: Kuvendi i RMV-së