• e mërkurë, 15 janar 2025

Gashi: Çështjet për shkarkime ose dorëheqje janë në kompetencë të Komisionit për zgjedhje dhe emërime, grupeve parlamentare ose deputetëve

Gashi: Çështjet për shkarkime ose dorëheqje janë në kompetencë të Komisionit për zgjedhje dhe emërime, grupeve parlamentare ose deputetëve

Shkup, 14 janar 2025 (MIA) - Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi pasditen e sotme përmes kumtesës informoi se roli i tij si kryetar ka përfunduar me procesin e interpelancës së kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Ilire Dauti. Siç thekson Gashi, çështjet e shkarkimeve apo dorëheqjeve janë në kompetencë të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, grupeve parlamentare apo deputetëve.

"Si kryetari i Kuvendit, përgjegjësia ime kryesore është të respektoj dhe zbatoj Rregulloren dhe procedurat e Kuvendit. Në këtë kontekst, interpelanca ndaj Kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, znj. Ilire Dauti, është zhvilluar në përputhje të plotë me Rregulloren, ligjet dhe Kushtetutën. Është e rëndësishme të theksohet se një interpelancë, për nga natyra e saj, nuk sjell pasoja apo efekte juridike. Roli im si Kryetar përfundoi pasi u finalizua procesi i interpelancës, ashtu siç ndodhi në rastin e interpelancës së parashtruar ndaj meje disa muaj më parë. Çështje të tilla si shkarkimet ose dorëheqjet janë procedurë e Komisionit për Zgjedhjet dhe Emërimet, grupeve parlamentare ose deputetëve", thotë Gashi. 

Thekson se deri më sot, te ai nuk ka arritur asnjë njoftim zyrtar për dorëheqje nga asnjë kryetar komisioni

"Nga pikëpamja procedurale, kjo çështje është zgjidhur. Çdo interpretim ndryshe nga kjo është thjesht retorikë politike për konsum ditor dhe nuk ka mbështetje juridike, e në të cilën unë, si Kryetar i Kuvendit, nuk do të marr pjesë", thotë Gashi. 

Interpelanca për kryetaren e Komisionit Parlamentar për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini e dorëzuar nga grupi parlamentar e Majta është votuar të premten, pas së cilës Kabineti i kryetarit të Kuvendit ka lëshuar një kumtesë ku theksohet se interpelanca nuk ka pasoja juridike-obligative 

Nga LSDM-ja opozitare dje i bënë thirrje Gashit që t'i tregojë hapat e radhës pas interpelancës së Dautit, ndërsa Lëvizja ZNAM, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar, ka kërkuar nga Fronti Evropian që të propozojë kryetarin e ri të Komisionit sepse posti i kryetarit në këtë komision i takon Frontit Evropian.

Edhe nga VMRO-DPMNE sot vlerësuan se Ilire Dauti "nuk ka kredibilitet për të kryesuar me Komisionin parlamentar për politikë sociale, demografi dhe rini", pas votimit të mosbesimit pas debatit për interpelancë të inicuar nga grupi parlamentar i së Majtës. 

"Nuk ka rëndësi se kush e ka inicuar interpelancën dhe cila ka qenë tema apo arsyeja, rëndësi ka nëse është shkelur apo jo Rregullorja për punë e Kuvendit, tha në konferencë për shtyp deputeti dhe anëtari i KE të VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov.

Përmes një kumtesë me shkrim dje është drejtuar edhe vetë Dauti e cila theksoi se është përballur me zgjedhjen mes humbjes së postit të kryetares së Komisionit dhe veprimit nën diktat, nuk dyshon se do të pranojë lirinë për të vepruar si deputete. ls/ 

Foot: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR