• e hënë, 23 dhjetor 2024

Gërkovska: Periudha parazgjedhore dhe zgjedhore është mundësi për të treguar pjekurinë e demokracisë sonë dhe aktorëve të saj

Gërkovska: Periudha parazgjedhore dhe zgjedhore është mundësi për të treguar pjekurinë e demokracisë sonë dhe aktorëve të saj

Shkup, 15 shkurt 2024 (MIA) - Zbatimi i drejtë i zgjedhjeve është bazë dhe parakusht kryesor për inkorporimin e të gjitha parimeve të tjera të qeverisjes së mirë, të përcaktuara nga Këshilli i Evropës. Ndërsa për të siguruar një atmosferë të drejtë dhe demokratike, imperativ është çdo palë e interesuar në zgjedhje të veprojë me përgjegjësi dhe etikë dhe të mos kërcënojnë integritetin e procesit zgjedhor, shkruan zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika për qeverisje të mirë në Qeverinë teknike, Sllavica Gërkovska në një letër të hapur drejtuar pjesëmarrësve në zgjedhje.

Me shpalljen e zgjedhjeve dhe fillimin e periudhës parazgjedhore, siç thekson Gërkovska, është e një rëndësie të madhe që çdo pjesëmarrës në këtë proces të ketë parasysh vazhdimisht ligjet, por edhe parimet etike gjatë kryerjes së aktiviteteve të tyre.

"Brezi ynë nuk duhet të përballojë përsëritjen e skenave nga e kaluara jo shumë e largët, rastet e frikësimit dhe abuzimit, të proceseve zgjedhore të komprometuara që e kthejnë shtetin prapa. Është detyra jonë e përbashkët të sigurojmë një atmosferë të sigurt dhe demokratike, në të cilën çdo votues mund të ushtrojë lirisht të drejtën e tij demokratike. Institucionet janë të parat në linjën e përgjegjësisë, por secili prej nesh ka një pjesë në të gjithë mozaikun", thekson Gërkovska.

Sipas saj, pavarësisht nga përkatësitë tona politike, prioritet në veprimin politik duhet të jetë mirëqenia e qytetarëve dhe besimi i ndërsjellë ndërmjet komuniteteve në shoqërinë tonë multikulturore.

Në këto kohë plot sfida, siç thekson ajo, është veçanërisht e rëndësishme transparenca e fushatave zgjedhore, sepse duhet t'u mundësohet qytetarëve që të marrin vendime në bazë të informacionit të saktë, thekson zëvendëskryeministrja.

Sipas saj, po aq e rëndësishme është edhe kujdesi për eliminimin e diskriminimit, intolerancës dhe gjuhës së urrejtjes nga diskursi publik, në drejtim të përmirësimit të kulturës së përgjithshme politike në vend.

"Periudha parazgjedhore dhe ajo zgjedhore është mundësi për të treguar pjekurinë e demokracisë sonë dhe aktorëve të saj, prandaj është e rëndësishme që çdo bartës dhe kandidat për post të udhëheq me shembull personal, duke iu përmbajtur standardeve etike dhe parimeve demokratike. Dhe në asnjë moment nuk duhet harruar se kushdo që kërkon besimin në zgjedhje duhet të veprojë në interesin më të mirë të qytetarëve tanë dhe të vendit", thekson Gërkovska. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR