• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Gërkovska: Nuk duhet t'u lëmë rrugë forcave retrograde në mbrojtjen e të drejtave dhe luftën për shoqëri më të drejta

Gërkovska: Nuk duhet t'u lëmë rrugë forcave retrograde në mbrojtjen e të drejtave dhe luftën për shoqëri më të drejta

Bruksel, 6 mars 2024 (MIA) - Edhe pse Bashkimi Evropian i ndan vlerat për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me fokus të veçantë të drejtat e grave edhe më tutje duhet të jemi të vetëdijshëm se puna për këto çështje nuk ka përfunduar dhe lufta duhet të vazhdojë, deklaroi sot në Bruksel zëvendëskryeministrja e obliguar për Politika të Qeverisjes së Mirë Sllavica Gërkovska në fjalim në forumin e nivelit të lartë "Gratë në jetën publike".

"Ndryshimet pozitive kulturore janë shumë më të ngadalta se ato në legjislacion dhe proceset demokratike. Prandaj është shumë e qartë se nuk duhet të tërhiqemi kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave dhe luftën për shoqëri më të drejta. Kjo nënkupton eliminimin e dhunës ndaj grave. qasjen në arsim dhe punë dhe trajtim të barabartë nga sistemi dhe shoqëria, por gjithashtu edhe përfaqësim në udhëheqje, prezantim dhe vendimmarje", thekson Gërkovska.

Sipas saj, fitorja e arritur dikur nuk do të thotë se është e përhershme dhe se me atë janë mposhtur forcat e regresit dhe tendencat antidemokratike që janë armiqësore ndaj parimeve të barazisë dhe të drejtave të njeriut dhe që ripërtërihen në mënyrë shqetësuese.

Gërkovska theksoi se edhe sot gratë e përfshira në jetën publike përballen me stereotipe dhe paragjykime me bazë gjinore.

Sipas saj, ideja e Forumit  ishte që gratë të cilat punojnë në politikë, prokurori, gjyqësi dhe gazetari nga rajoni të ofrojnë mbështetje reciproke dhe duke bërë këtë dolën në pah të gjitha pengesat dhe presionet me të cilat përballen dhe të cilat janë shumë më të mëdha nga ato që janë ekspozuar kolegët e tyre meshkuj.

Gërkovska thekson se përveç pengesave të karakterit personal dhe profesional, shumë nga këto gra kanë qenë të ekspozuara edhe në presion si në jetën reale ashtu edhe në hapësirën onlajn, ndërsa motivi kryesor për këtë ka qenë lufta e tyre kundër korrupsionit dhe tentativa për t'i izoluar dhe dërguar në harresë vetëm sepse guxuan të prishin rehatinë e atyre që "kapin shoqëritë tona për interesa personale".

Ajo theksoi se në aspektin e kornizës ligjore për të drejtat e grave, Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të madh dhe është plotësisht në përputhje me legjislacionin për politikat e grave të BE-së, që do të thotë se në ato arritje është edhe përpara disa anëtarëve të Unionit.

Ajo theksoi se ballafaqimi me pengesat me të cilat përballen gratë në mbarë botën është një sfidë e madhe, ndaj duhet të luftojmë për të gjitha gratë, e veçanërisht për ato që zëri i tyre nuk dëgjohet.

Në fjalimin hyrës të Forumit, nënkryetarja e Komisionit Evropian për Vlera dhe Transparencë, Vera Jourova theksoi se pikërisht ideja për organizimin e këtij tubimi vjen nga zëvendëskryeministrja Gërkovska.

Jourova shtoi se pavarësisht rritjes së numrit të grave në jetën publike, ka një tendencë në rritje për largimin e tyre nga hapësira publike, për shkak të rrezikut të vazhdueshëm të dhunës dhe urrejtjes që u drejtohet atyre, veçanërisht onlajn.

Sipas Jourovës, disa studime tregojnë se deri në 85 për qind e grave në politikë kanë qenë të ekspozuara ndaj një forme dhune ose urrejtjeje.

Fjalimet hyrëse në tubim nëpërmjet lidhjes me video-konferencë u mbajtën nga kryetaret e Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe Roberta Mecola, si dhe zëvendëskryetarja e Komisionit Evropian për një Evropë të Përshtatur në Epokën Dixhitale dhe eurokomisare për Konkurrueshmërinë Margret Vestager, e cila së bashku me Gërkovskën ishin folëset kryesore në forum.

Takimi synon të nxjerrë në pah rëndësinë e barazisë gjinore në vendimmarrje, si dhe të identifikojë sfidat e pjesëmarrjes politike të grave, veçanërisht në kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme evropiane, dhe të dalë me zgjidhje konkrete për mbështetjen e grave në poste publike, duke përfshirë angazhimin në platformat mediatike, organet rregullatore dhe partitë politike. sa/

Foto: Skrinshot

QËNDRONI TË LIDHUR