• e hënë, 23 dhjetor 2024

Furnizimi me ujë në Gostivar është normalizuar, është sanuar defekti në rrjetin e ujësjellësit

Furnizimi me ujë në Gostivar është normalizuar, është sanuar defekti në rrjetin e ujësjellësit

Gostivar, 22 mars 2023 (MIA) - Ndërprerja në furnizimin me ujë e shfrytëzuesve në komunën e Gostivarit pas më shumë se 12 orëve është tejkaluar dhe furnizimi me ujë është normalizuar, informojnë nga NP "Komunalec". Shkaku, siç bëhet e ditur në kumtesë, është një defekt në linjën e vjetër të ujësjellësit sanimi i të cilit ka zgjatur më shumë se sa pritej. Problemet në furnizimin me ujë u shkaktuan dje paradite pasi ka pasur defekt në një prej linjave kryesore të ujësjellësit. 

Nga NP "Komunalec"  sqaruan se defekti ka shkaktuar ndërprerje të papritur në furnizimin me ujë.

"Procesi i zëvendësimit të gypave të vjetër nga asbesti me gypa të rinj në kuadër të projektit SEKO zhvillohet në disa faza, me çka paraqiten defekte të ndryshme të cilat shkaktojnë ndërprerje në furnizimin me ujë", njoftoi NP "Komunalec".

Në kumtesën e sotme sqarohet se në kushte të reshjeve të shiut ekipet e tyre me intensitet kanë punuar deri në orët e vona të natës në sanimin e defektit dhe vendosje të furnizimit të rregullt me ujë në gjithë territorin e komunës së Gostivarit.

Si paralajmërim që problemi të tejkalohet qytetarëve u ishte rekomanduar që të mos e përdorin ujin për pije. Pas lëshimit të ujit në sistem, për shkak të hiperklorinimit nuk është për pije, por vetëm për nevoja sanitare për shkak të procesit të dezinfektimit të sistemit me klor. fc/

Fotografia: NP "Komunalec" Gostivar

QËNDRONI TË LIDHUR