• e premte, 22 nëntor 2024

FT: Zbardhet plani i Trampit për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë

FT: Zbardhet plani i Trampit për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë

Uashington, 29 tetor 2024 (MIA) - Ish presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, ka propozuar një plan kontrovers për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë i cili parasheh "ngrirje" të konfliktit dhe krijimin e zonave autonome dhe të çmilitarizuara.

Sipas informacioneve të "Fajnenshëll tajms" ky propozim parasheh uljen e rolit amerikan dhe përfshirjen më të madhe të vendeve evropiane si garantues të procesit paqësor, por pa integrimin e Ukrainës në NATO.

Kandidati republikan për zëvendëspresident Xh.D Uens në shtator parashtroi idenë për ngrirjen e luftës me formimin e rajoneve autonome dhe zona të çmilitarizuara në të dyja anët e kufirit, por pa anëtarësimin në NATO, shkruan FT.

Sipas njërit prej këshilltarëve shumëvjeçar të Trampit, plani i ri kërkon rishikim të marrëveshjeve të Minskut të vitit 2014 dhe 2015, të cilat nuk u zbatuan kurrë. Ato marrëveshje parashikonin integritetin territorial të Ukrainës me zona autonome, ndërsa Krimeja e pushtuar nuk përmendej. Plani i Trampit përfshin futjen e një “klauzole të mekanizmit të zbatimit”, pra vendosjen e sanksioneve në rast të shkeljes së marrëveshjes.

Vendet evropiane duhet ta marrin rolin e garantuesit dhe “mbikëqyrësit” në procesin paqësor, ndërsa pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s do të ishte minimale, shkruan Fajnenshëll tajms". "Ka dy gjëra për të cilat SHBA do të insistojë. Nuk do të ketë njerëz tanë në mekanizmin e zbatimit. Nuk do ta financojmë. Evropa do të paguajë për këtë", shton këshilltari i Trampit.

Kritikët, duke përfshirë zyrtarë ukrainas, paralajmërojnë se një qasje e tillë mund të shihet si lëshim pe para agresionit rus, ndërsa mbështetësit e Trampit besojnë se një strategji e re është e nevojshme, duke marrë parasysh situatën aktuale në terren.

Aleatët e Trampit pohojnë se Ukraina po e humb luftën dhe për këtë arsye shtytja për një marrëveshje është "moralisht e drejtë". Tramp mendon se presidenti aktual i SHBA-së Xho Bajden duhet të bisedojë me presidentin rus Vlladimir Putin, siç biseduan presidentët amerikanë me liderët e Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë dhe se anëtarësimi i Ukrainës në NATO për momentin nuk është opsion.

Fred Flejc, ish analist i CIA-s i cili ka punuar në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të Trampit, ndërsa tani në Qendrën për sigurinë amerikane në një intervistë për FT ka sugjeruar se anëtarësimi i Ukrainës në NATO mund të jetë jashtë agjendës për disa vite me tentimin për ta detyruar Rusinë që të negociojë.

"Ne po ngrijmë konfliktin, Ukraina nuk heq dorë nga territori, nuk heq dorë nga pretendimet e saja territoriale dhe fillojnë negociata me mirëkuptimin se ndoshta nuk do të ketë një marrëveshje përfundimtare derisa Putini të largohet nga posti i presidentit rus", ka thënë Flejc. Megjithatë, kjo qasje nuk do të ketë mbështetje unanime në Partinë Republikane, thekson FT.

Majk Uolc, një nga folësit kryesorë republikanë për siguri kombëtare në Dhomën përfaqësuese, sugjeron se Trampi duhet të kërcënojë me shkatërrim të ekonomisë ruse duke ulur çmimet e naftës dhe gazit për ta sjellë Putinin në tryezën e bisedimeve.

"Eksportoni naftë dhe gaz amerikan më të lirë dhe më të pastër në mbarë botën. E ulni çmimin", shton Ualc.

Arabia Saudite, një aleate e rëndësishme e Trampit gjatë mandatit të tij të parë, ndoshta nuk do ta mirëpriste një veprim të tillë. Megjithatë, njerëzit e afërt me Trampin insistojnë se ai do të bëjë presion të fuqishëm ekonomik ndaj Putinit.

"Ai tregoi se di si t'i sjellë të dyja palët në tryezë", tha Rik Grenell, ish ambasador në Berlin dhe i dërguari i Trampit për Ballkanin, duke kujtuar marrëveshjen e Abrahamit, marrëveshjet e nënshkruara nga Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Maroku dhe Sudani derisa Trampi ishte në pushtet.

"Ai e bëri këtë gjatë gjithë kohës. Arabët dhe izraelitët, rusët dhe ukrainasit do të jenë të radhës", ka thënë ai.

Megjithëse strategjia e Trampit duket si një mundësi për një zgjidhje të re, shumëkush pyet për pasojat afatgjata dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën. Ky plan do të jetë temë e debatit politik, veçanërisht në kontekst të zgjedhjeve të ardhshme në SHBA.

foto: arkivi

 

QËNDRONI TË LIDHUR